+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP-Agjencioni Kundër Korrupsionit i Kosovës nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi 

Institucionet kryesore të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri dhe në Kosovë shprehin gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar ngushtë për përmirësimin e teknikave të hetimit administrativ ndaj zyrtarëve publikë.

Në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ditën e Premte (18.05.2012), Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Agjencioni Kundër Korrupsionit i Kosovës (AKK), do të angazhohen në hartimin e strategjive dhe politikave rajonale në parandalimin e korrupsionit në fushat e veprimtarisë institucionale respektive, si edhe në shkëmbimin e eksperiencës në procedurat e deklarimit të interesave private dhe parandalimit e trajtimit të rasteve të konfliktit të interesave.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, e vlerësoi nënshkrimin e Marrëveshjes me homologët kosovarë një ngjarje shumë të veçantë, e cila përfshin në vetvete edhe simbolin kombëtar. “Firmosja e aktit të përbashkët ka një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ne sot, ashtu si edhe dy shtetet tona, dëshmojmë se kufijtë territorialë tashmë janë thjesht një konvencion gjeografik, të cilat nuk na pengojnë të koordinojmë veprimet dypalëshe për forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor në Shqipëri dhe Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, z. Hasan Preteni, duke vlerësuar shumë të rëndësishëm Marrëveshjen e Bashkëpunimit me institucionin shqiptar, ofroi angazhimin maksimal të stafit të tij për të kontribuuar në luftën e përbashkët kundër korrupsionit. Duke iu referuar raporteve pozitive që ekzistojnë ndërmjet dy institucioneve, z. Preteni u shpreh se “bashkëpunimi i institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës është natyral dhe nuk kërkon impenjime të tepërta formale”. Gjithashtu, drejtuesi i AKK-së vlerësoi rolin mbështetës që ka luajtuar ILDKP në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve investiguese për agjencisë e Kosovës. 

  

 Albi SERANI 

 

_________________________ 

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN