+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

“Dhurata milionëshe për politikanë e gjyqtarë 

1- Në datën 31 mars ka përfunduar dorëzimi i formularëve të deklarimit të pasurive nga zyrtarët shqiptarë, ka ndër ta që nuk e kanë respektuar këtë afat? 

Inspektorati i Lartë, aktualisht është në fazën e përpunimit të informacionit lidhur me procesin e deklarimit të interesave private në afatin ligjor. Brenda pak ditësh do të kemi një informacion të plotë dhe mbi të gjitha, do të bëjmë publike rastet e vonesave në deklarim apo rasteve të mosdorëzimit të formularëve të pasurisë. Në një vështrim të shpejtë, janë konstatuar vonesa në dorëzimin e deklaratës së pasurisë në disa raste. Ndërkohë, po shqyrtohen edhe rastet e mosdorëzimit. Për secilin subjekt që nuk ka respektuar afatin ligjor të deklarimit të pasurisë, pa arsye ligjore, do të aplikohen sanksionet administrative “gjobë” dhe lista e zyrtarëve të ndëshkuar do të jetë e aksesueshme për publikun e median.

2- A mund të bëni një bilanc të denoncimeve që ju keni bërë për zyrtarët e lartë shqiptarë dhe sa nga ta janë dënuar nga gjykatat shqiptare? Keni pasur probleme, sipas jush, në hetimet që ka bërë më pas prokuroria? 

Inspektorati i Lartë, në respektim të opinionit dhe në përmbushje të detyrimit të tij ligjor për transparencë, ka bërë publik çdo rast zyrtari të evidentuar në shkelje të ligjit për “deklarimin e pasurive” dhe për “konfliktin e interesave”. Për nga numri i rasteve të referuara në organin e prokurorisë për zyrtarë të niveleve të ndryshme, Inspektorati i Lartë mund të thuhet se ka një histori suksesi që nga krijimi i tij. Duhet pasur parasysh se hetimi dhe më pas evidentimi i shkeljes së ligjit nga ana e zyrtarëve që janë të veshur me mantel shtetëror nuk është gjithnjë një sfidë e lehtë. Pasi këta persona, duke qenë se janë më të familjarizuar me kuadrin ligjor ekzistues, kanë më shumë mundësi të fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë korruptive nëpërmjet manovrimit brenda hapësirave ligjore të parregulluara mirë. Gjithësesi, boshllëku ligjor në disa pika nuk e ka penguar Inspektoratin e Lartë të evidentojë shkelje, në disa raste shumë të rënda, për të cilat është kërkuar fillimi i procedimit penal.

Duke filluar nga fundi i vitit 2008, kohë kur kam nisur detyrën si Inspektor i Përgjithshëm, deri më sot, Inspektorati i Lartë ka kërkuar ndjekjen penale për rreth 70 zyrtarë të niveleve të ndryshme, përfshirë edhe persona me pushtet të lartë publikë si ministër, deputet, sekretarë të përgjithshëm, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë në institucione qendrore, por edhe zyrtarë tatimore, doganorë e drejtues të pushtetit lokal.

Ecuria e mëtejshme e rasteve të referuara për kallëzim penal është kompetencë e institucioneve të drejtësisë- prokurorisë dhe më tej gjykata. Në kohë të ndryshme, Inspektorati i Lartë ka ngritur zërin lidhur me trajtimin joserioz që u bëhet nga institucionet që kanë për detyrën të japin drejtësi, rasteve të evidentuara me fshehje të pasurisë nga ana e zyrtarëve. Është një lloj presioni pozitiv që ka ushtruar institucioni ynë karshi organit të prokurorisë e më tej, në gjykata, nëpërmjet procedurave ankimuese, në ato raste kur ILDKP nuk ka qenë e bindur për mënyrën e pushimit të çështjeve apo të ngritjes së akuzave minimale ndaj zyrtarëve, të cilat më pas pushoheshin nga gjykata.

Inspektorati i Lartë ka pasur mbështetjen e fuqishme të medias dhe shoqërisë civile kur ka ngritur shqetësimin për atë që e kemi konsideruar si “mantel paprekshmërie” të krijuar nga ana e organeve të drejtësisë për zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Shqetësimi i ILDKP-së dhe më tej, amplifikimi i tij nga organet mediatikë, besoj, ka ndikuar në një ndryshim të situatës në kahun pozitiv. Gjatë vitit të fundit, disa raste korruptive të referuara nga Inspektorati i Lartë, janë trajtuar me seriozitetin e duhur ligjor nga ana e prokurorisë dhe çështjet tashmë presin vendimin përfundimtar në gjykatë.    

3- Në deklarata publike, edhe në Kuvend – i fundit deputeti socialist Taulant Balla që denoncoi një anëtar të kabinetit Berisha – janë përmendur raste të zyrtarëve të lartë të cilët janë akuzuar se kanë transferuar para apo dhe kanë prona të pajustifikuara jashtë shtetit. Si qëndron ky problem, keni ndonjë hetim të tillë aktualisht? 

Institucioni ynë është shumë i vëmendshëm ndaj çdo fakti ose dyshimi që bëhet publik në media apo tribuna të ndryshme politike e publike lidhur me raste korruptive apo fshehje të mundshme të pasurisë. Por, angazhohemi maksimalisht kur deklarimet apo informacionet për korrupsion shoqërohen me bashkëpunim të ndërsjelltë me cilindo që posedon të dhëna për pasuri të fshehura apo për konflikt interesi. Inspektorati i Lartë shpreson që deklaratat që bëhen nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, por edhe nga çdo tribunë tjetër publike, të jenë përtej konsumit politik të ditës. Referuar rastit që ngrini në pyetjen Tuaj, ILDKP kërkoi menjëherë, në mënyrë zyrtare, bashkëpunimin e deputetit Balla, për të ofruar informacionin që zotëronte lidhur me situatën e dyshuar korruptive. Ftesa ndaj deputetit u përsërit dy herë, por axhenda politike e tij, mesa duket, e ka penguar të paraqitet për të dhënë hollësi të mëtejshme. Në një vend ku liria e fjalës është e sanksionuar në Kushtetutë, ku media është gjerësisht e përhapur, është e lehtë të ngresh akuza për korrupsion ndaj kujtdo, përfshirë edhe ministra. Por, kur këto akuza mbeten thjeshtë për konsum të çastit, dhe këtu nuk i referohem vetëm deputeti Balla por edhe shumë kolegëve të tij politikanë, e them me bindje se kjo nuk e ndihmon aspak elementin më të rëndësishëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian- luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor. Antikorrupsioni është një sfidë që na përket të gjithëve. Kërkohet një bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional dhe impenjim serioz nga kushdo që e ka për detyrë të kontribuojë.

4- Në deklarimet që i vijnë institucionit tuaj, ka shumë raste kur shuma në para apo prona janë cilësuar si dhurata nga të afërm për llogari të personit deklarues. Si e gjykoni këtë fenomen dhe a është kjo një indicije për hetim? 

Shoqëria shqiptare, tradicionalisht, është e mbështetur fuqishëm tek raportet familjare. Në aspektin social ky është një element pozitiv për mirëzhvillimin e jetës në komunitet. Në këtë kuadër, edhe mbështetja financiare që ekziston ndaj njëri-tjetrit ndihmon në progresin e mëtejshëm ekonomik. Por, ka raste, dhe për këtë ka bindje të arsyeshme, që abuzohet me deklarimin e dhuratave apo favoreve që zyrtarë të ndryshëm i deklarojnë si të prejardhura nga persona familjarë. Inspektorati i Lartë ka evidentuar disa raste kur persona të ndryshëm, pa një biografi të suksesshme financiare, rezultojnë si dhurues apo huadhënës për zyrtarë të ndryshëm, të ardhurat e të cilëve janë shumë herë më të larta se personat që shënohen si kontribues financiar. Po ashtu, ILDKP evidenton rast pas rasti se ka zyrtarë, kryesisht gjyqtarë, por edhe funksione në të tjera, që vit pas viti deklarojnë se marrim dhurata në vlera të konsiderueshme monetare apo asete të paluajtshme. Këto raste cilësohen të dyshimta, pra që këto interesa mund të jenë rrjedhojë e veprimeve korruptive, por që mbulohen në formën e dhuratave apo huave.

Nga një statistikë e nxjerrë pak kohë më parë nga Inspektorati i Lartë, rezulton që janë disa miliona euro që qarkullojnë në radhët e zyrtarëve në format e huave apo dhuratave. Është një shumë, që cilësohet e lartë, e cila qarkullon jashtë sistemit bankar dhe që krijon dyshime të arsyeshme se në një pjesë të saj mund të ketë elementë korruptivë.

5- E njëjta histori është edhe për pasuri të cilat janë të regjistruara në emër të personave të afërt me personin deklarues, që në kontroll logjik ngjan si e pamundur të jetë krijuar prej tyre. Keni hetuar raste të tilla? 

Ky është një problem i evidentuar nga Inspektorati i Lartë kohë më parë dhe ka pasur raste që janë kryer investigime në këtë drejtim. Por, hetimet e deritanishme kanë mbetur në një pikë mosvazhdimi, për faktin se institucioni nuk ka pasur hapësirën e duhur ligjore për të ushtruar kontroll të plotë edhe tek personat të tretë që rezulton të kenë lidhje financiare me zyrtarët. Në muajin Mars 2012, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa amendime në Kodin Penal, ndër të cilat është edhe një propozim i Inspektoratit të Lartë. Në bazë të këtij ndryshimi, cilido person që ka lidhje interesash private me zyrtarët do të përballet me përgjegjësi ligjore nëse refuzon të deklarojë pasurinë apo nuk justifikon pasurinë e tij. Kjo është një masë shumë e rëndësishme ligjore, pasi nëpërmjet saj frenohet fenomeni tashmë i përhapur në radhët e zyrtarëve që shfrytëzojnë emra të persona të tjerë për regjistrimin e pasurive të tyre, për të cilat nuk arrijnë të justifikojnë burimin financiar të krijimit.

6- Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë që hetimi juaj të ketë besueshmëri dhe transparencë dhe mbi të gjitha, të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit? 

Qëllimi i Inspektoratit të Lartë është pikërisht lufta kundër korrupsionit. Përsa i përket transparencës, e them me bindje se është një ndër institucionet investigues më transparentë në Shqipëri. Kjo mund të konstatohet lehtësisht në komunikimin periodik që zhvillohet me median, shoqërinë civile e qytetarët. Në këtë kuadër, pak ditë më parë u zhvillua edhe aktiviteti “ILDKP me dyer të hapura”, në të cilin kushdo është i ftuar të vizitojë institucionin dhe të interesohet mbi mënyrën se si zhvillohet hetimi administrativ nga stafi i kontrollit. Në kuadër të transparencës maksimale, Inspektorati i Lartë është shpesh aktiv në media, kryesisht me publikimin e të dhënave për pasuritë e deklaruara nga zyrtarët, si edhe në publikimin e çdo rasti zyrtari të konstatuar në shkelje të ligjit.

Qëllimi i institucionit dhe transparenca, të lidhura me njëra-tjetrën, krijojnë bazat për besueshmërinë ndaj punës së institucionit. Megjithatë, në këtë pikë ka ende punë për të bërë. Opinion publik ka bindje se zyrtarët, në përgjithësi, janë të korruptuar. Është një perceptim që zbulohet nga sondazhet e shumta që kryhen, pavarësisht faktit se jo domosdoshmërisht duhet bërë lidhja zyrtar-korrupsion. Nuk mund të mohohet që ka korrupsion. Por, nga ana tjetër, nuk mund të qëndrohet vetëm në deklarime publike apo në biseda në ambjente të ndryshme. Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre ligjore për të parandaluar dhe ndëshkuar korrupsionit. Nga ana tjetër, edhe qytetarët dhe i gjithë opinioni publik duhet të angazhohet në denoncimin e çdo rasti abuziv me pushtetin shtetëror. Mendoj se besueshmëria e publikut ndaj institucioneve mund të arrihet vetëm me mbështetjen dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese. Në këtë mënyrë, institucionet do të ndjejnë presionin pozitiv të publikut, do të jenë më të përgjegjshëm në zbatim të detyrave të tyre dhe, në përfundim, suksesi në luftën kundër korrupsionit do të jetë si i institucioneve, por më shumë i qytetarëve.

 

7- Gjykoni se ndër zyrtarët e hetuar nga ju, ka prej tyre apo dhe të afërm me ta, që janë përfshirë në çështje pastrimi parash të ardhura nga veprimtari shtetërore? 

Janë bërë publike disa raste, kur Inspektorati i Lartë ka krijuar bindje të arsyeshme se zyrtarë të ndryshëm apo persona të lidhur me ta janë përfshirë në veprimtari korruptive me qëllim pastrim parash. Po ashtu, raste të tjera i janë referuar organit të Prokurorisë ose Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për hetime të mëtejshme. Dyshime për pastrim parash përfshijnë nivele të ndryshme të zyrtarëve, përfshirë edhe ata që janë në pozicione të larta në administratën shtetërore.

8- Keni publikuar listën e zyrtarëve të lartë që do të hetohen imtësisht prej jush në bazë të shortit që është hedhur. Mund të shpjegoni si ndiqet në këtë rast procedura? 

Pak ditë më parë, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe qytetarë kishin mundësinë të përzgjidhnin zyrtarët që do të kalojnë në kontroll të plotë nëpërmjet procedurës së shortit. Dua të theksoj se është një aktivitet unik në llojin e tij në Shqipëri dhe ka një interes shumë të lartë qytetar për pjesëmarrjen në të.

Kontrolli i plotë, në të cilën do të kalojnë edhe 192 zyrtarët e përzgjedhur nga shorti, është faza më e rëndësishme e hetimit administrativ që zhvillon Inspektorati i Lartë. Gjatë këtij kontrolli vërehet saktësia e deklarimit të subjekteve deklarues, si edhe ekzistenca ose jo e konfliktit të interesave. ILDKP merr të dhëna në të gjitha agjencitë publike dhe private në Shqipëri (por edhe jashtë Shqipërisë kur ka të dhëna të besueshme). Gjithashtu, gjatë kontrollit të plotë, ILDKP kryen edhe verifikime në terren apo analiza financiare (për cështjet e aksioneve/kapitaleve në biznes, etj) vetë ose me ekspertë të liçensuar. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal (mars 2012), ILDKP ka mundësi të kryejë hetime edhe tek personat e lidhur me zyrtarin (persona të tretë), për të cilët krijohen dyshime të arsyeshme se kryejnë veprime për të fshehur pasuri të krijuara në mënyrë korruptive nga zyrtarët.

9- Ku ka mbetur ideja për kontrollin total të të ardhurave nga të gjithë shtetasit shqiptarë? 

Detyrimi për deklarimin e të ardhurave nga qytetarët është një ligj që do të administrohet nga organi Tatimor. Zbatimi i këtij ligji pritet të japë një ndihmesë të rëndësishme në praktikën investiguese të Inspektoratit të Lartë. Sipas dispozitave të tij, çdo qytetar që realizon të ardhura mbi 2 milionë lekë të reja në vit, duhet të plotësojë formularin përkatës pranë administratës tatimore. Të dhënat e përftuara nga deklarimi i qytetarëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të përdoren edhe nga ILDKP-ja, për të verifikuar nëse qytetarët që u japin hua, borxh apo dhurata zyrtarëve i kanë ose jo mundësitë reale financiare. Kuadri ligjor po forcohet në të gjithë drejtimet, ç’ka do të thotë që krijohen të gjitha premisat për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit.