NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP-Avokati i Popullit nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Avokati i Popullit shprehën gatishmërinë e tyre për luftë të përbashkët kundër korrupsionit nëpërmjet Marrëveshjes së Bashkëpunimit, firmosur sot nga dy drejtuesit e institucioneve, z. Adriatik Llalla dhe z. Igli Totozani. Në qendër të këtij dokumenti dypalësh qëndron vullneti i mirë për të shkëmbyer informacion, si edhe për të zhvilluar hetime ndërinstitucionale ndaj zyrtarëve publikë, të cilët abuzojnë me detyrat shtetërore për përfitime personale.

 Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Llalla, shprehu në mënyrë të përmbledhur qëllimin e dokumentit ndërinstitucional: “Inspektorati i Lartë dhe Avokati i Popullit administrojnë informacione të shumta për zyrtarë që dyshohet se janë të përfshirë në veprime korruptive. Marrëveshja e sotme synon pikërisht filtrimin e përbashkët të të dhënave dhe rezultate konkrete në ndëshkimin sipas ligjit të personave që shfrytëzojnë postin publik për të krijuar të ardhura personale

 Marrëveshja e Bashkëpunimit përkon me ditët e fundit të deklarimit periodik të pasurisë së zyrtarëve dhe kreu i Inspektoratit të Lartë. Z. Llalla u rikujtoi nëpërmjet komunikimit mediatik, të gjithë subjekteve se nuk do të tolerohet asnjë rast të shkeljes së afatit ligjor 31 Mars.

 Në fjalën e tij, Avokati i Popullit, z. Totozani, vlerësoi iniciativën e ILDKP për nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe theksoi angazhimin e dy institucioneve për koordinim në luftën kundër korrupsionit. “Me Inspektoratin e Lartë do të kemi shkëmbim të shpeshtë informacioni lidhur me rastet e dyshuara të zyrtarëve që shfrytëzojnë postin publik në dëm të interesave te qytetarëve”, u shpreh z. Totozani.

 Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN