+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP, 14 kallëzime penale dhe 6 masa administrative për fshehje dhe mosdeklarim të pasurive

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka kërkuar ndjekje penale ndaj 14 zyrtarëve për fshehje e mosdeklarim të interesave private, si edhe për refuzim për deklarim. Gjithashtu, për 6 zyrtarë të tjerë janë vendosur masa administrative “gjobë” për shkelje të rregullave të deklarimit.

1. Kallëzimet penale
Dy zyrtarë, një me funksion gjyqtar dhe një tjetër me funksion punonjës i administratës tatimore, janë kallëzuar penalisht në organin e prokurorisë për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa 12 subjekte të tjerë për “refuzim për deklarim”.

Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP ka kërkuar nisjen e procedimit penal ndaj subjektit Shyqyri Çobo, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, pasi është konstatuar:

–          Deklarim i rremë i vlerës së apartamentit me sip. 120 m2 në Lagj. Nr.4, Rr.”Skënderbeu” Durrës, blerë në shumën 7.900.000 lekë, të cilin subjekti e ka deklaruar në shumën 6.000.000 lekë (me një diferencë prej 1.900.000 lekë); mosdeklarim i detyrimit dhe shlyerjeve të pagesave për blerjen e apartamentit në shumën 7.900.000 lekë; deklarim i rremë dhe mungesë e burimit financiar për krijimin e kësaj pasurie.

–          Mosdeklarim të llogarisë, vlerave përkatëse dhe burimeve të krijimit të tyre në emër të bashkëshortes në Tirana Bank.

–          Mosdeklarim të depozitës në BKT, në shumën 1.907.196 lekë dhe burimeve të krijimit të tyre në emër të bashkëshortes.

Gjithashtu, ILDKP, pas shqyrtimit të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Mehmet Guga, me funksion Inspektor i Drejtorisë së Tatim-Paguesve të Mëdhenj, ka arritur në konkluzionin se zyrtari ka bërë deklarim të rremë dhe për këtë arsye, ka kërkuar nga organi i prokurorisë fillimin e procedimit penal. Në përfundim të veprimeve verifikuese ka rezultuar se subjekti nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurisë së tij, si edhe ka fshehur:

–          Transaksione bankare, që arrijnë në vlerën 188.500 dollarë

–          Fshehje të aktivitetit privat (në emër të djalit të tij), shiblerjes të pjesëve në kapital të shoqërisë “GURRA” shpk në vlerën 15.242.499 lekë dhe veprime fiktive në lidhje me marrëdheniet e subjektit deklarues me këtë shoqëri.

–          Fshehje të aseteve, pasuri të paluajtshme: magazinë të bimëve, dy kate, me sip.ndërtimi 360m2 dhe sip,trualli 360m2; depo bimësh, 3 kate, me sip.ndërtimi 2.250 m2; tokë truall me sip.2 200m2;  tokë truall me sip.560m2; tokë truall me sip.815m2; tokë truall me sip.840m2; mosdeklarim i një objekti dhe ndërtesë, me sip. sip.85m2 dhe sip.trualli 300m2, në Sarandë; si edhe dy automjete, me vlerë përkatësisht 13.000 euro dhe 330.000 lekë.

ILDKP ka kallëzuar penalisht për “refuzim për deklarim” 12 zyrtarë të tjerë, nga të cilët 8 drejtues lokalë janë zgjedhur për herë të parë në muajin Maj 2011. Për zyrtarët  në funksion është kërkuar njëkohësisht shkarkimi nga detyra i tyre. Më konkretisht, të kallëzuar penalisht janë:

1. Dule Koka                                     Doganier, Kakavijë

2. Aleksandër Çela                          Kryetar i komunës Dardhas, Pogradec

3. Bujar Ibrahimi                            Kryetar i komunës Qendër-Piskovë, Përmet

4. Rrahman Demaj                          Kryetar i komunës Tërthore, Kukës

5. Hristo Duci                                   Kryetar, komuna Dropull i Sipërm, Gjirokastër

6. Gjergji Doçi                                  Kryetar i komunës Dajç, Lezhë

7. Martin Lazri                                Kryetar i komunës Guri i Zi, Shkodër

8. Vuksan Çardaku                         Kryetar i komunës Llugaj, Tropojë

9. Lekë Bibaj                                    Kryetar i Komunës Hajmel, Shkodër

10. Jakup Sefolli                              Ish-Kryetar i komunës Fajzë, Has

11. Mark Ruçi                                  Ish-Kryetar i Bashkisë Rubik

12. Kastriot Begaj                           Ish-Kryetar i Bashkisë, Librazhd

2. Masat administrative
Inspektorati i Lartë, për shkelje të ndryshme të rregullave të deklarimit të interesave private, ka aplikuar masën administrativë “gjobë” ndaj 6 zyrtarëve të niveleve të ndryshme. Më konkretisht:

1. Qani Shema                                   Kryetar, Përmbarimi Sarandë

2. Agron Selimaj                               Inspektor, D. R. Tatime, Fier

3. Nexhmi Torra                               Inspektor, D.R. Tatime, Korçë

4. Petrit Tare                                    Drejtor, Ujësjellës-Kanalizime, Korçë

5. Mariglen Murataj                         Përmbarues, Përmbarimi Gjirokastër

6. Mustafa Turku                             Prokuror, Prokuroria e Rrethit Elbasan

 

Albi SERANI

______________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN