+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP zhvillon analizën vjetore 2011

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka paraqitur prioritetet e vitit 2012 për hetimin e pasurive të zyrtarëve dhe për parandalimin e konfliktit të interesave, të cilat bazohen në projektet e avancuara të teknologjisë elektronike.

Në veprimtarinë e tij, ILDKP do të angazhohet në përgatitjen e sistemit të deklarimit on-line të interesave private, si edhe në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me institucionet e tjera. Projekti u bë i ditur nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, gjatë analizës vjetore 2011 të institucionit, zhvilluar ditën e martë (17.01.2012).

Në fjalën e tij, z. Llalla përmendi arritjet dhe problematikën me të cilën është përballur Inspektorati i Lartë gjatë vitit të kaluar, si edhe kërkoi angazhimin maksimal të stafit në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe në ndërgjegjësimin e zyrtarëve të administratës publike për zbatimin me korrektesë të kërkesave ligjore.

Referuar rezultateve konkrete, Inspektori i Përgjithshëm bëri një përmbledhje statistikore, ku u fokusua kryesisht te rastet e ndëshkimit të subjekteve për shkelje të ligjit “Për deklarimin e pasurive….” dhe “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”.

“Gjatë vitit 2011, ILDKP ka gjobitur 86 zyrtarë për vonesa në deklarim të interesave private; 8 zyrtarë për situata të konfliktit të interesave; 23 zyrtarë për shkelje të rregullave të deklarimit; si edhe ka kallëzuar penalisht 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Për vitin në vijim, z. Llalla kërkoi rritjen e efektivitetit të proceseve kontrolluese, duke vënë theksin kryesisht në investigimin në terren të pasurive të dyshimta të zyrtarëve.

Albi SERANI
______________________________________
PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN