NJOFTIM PËR SHTYP

FJALA E INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM TË ILDKP, Z. ADRIATIK LLALLA, NË TAKIMIN E PARË TË BORDIT TË PALËVE TË INTERESIT TË PROJEKTIT PAMECA III
22.11.2011
  

I nderuar z. Ambasador Sequi
Të nderuar organizatorë të PAMECA-s
I nderuar zoti Nishani e Burgaj,
Të nderuar diplomatë, 

E ndjej kënaqësi t’ju përshëndes në këtë takim, në pozicionin e drejtuesit të një institucioni të pavarur që është përfitues i drejtëpërdrejtë i projektit PAMECA III.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një ndër agjencitë kryesore të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, tashmë ka nisur hartimin e një plani të detajuar veprimi me Misionin Policor Ndërkombëtar në dy aspekte; në drejtim të përafrimit të legjislacionit shqiptar me praktikën më të mirë ndërkombëtare përsa i përket hetimit të krimit financiar dhe, më kryesorja, në drejtim të investigimit të pasurive të zyrtarëve të ndryshëm të niveleve të larta të administrates publike, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Aktualisht, në sfidat antikorrupsion të institucionit tonë, është bashkuar edhe eksperti i misionit PAMECA, z. Jurgen Kempf, i pranishëm këtu, të cilin gjej rastin ta falenderoj për kontributin e tij. Në kushtet e sotme, kur janë sofistikuar ndjeshëm sistemet e qarkullimit të parave të dyshimta, sidomos nëpërmjet transaksioneve me orientim jashtë vendit, Inspektorati i Lartë ka nisur aplikimin e metodave të avancuara për evidentimin e burimit dhe të destinacionit të të ardhurave të krijuara nga abuzimi me pushtetin publik. Natyrisht, ky orientim i ri vazhdon paralel me hetimin administrativ që kryhet brenda vendit për fshehje të pasurisë, si edhe për parandalimin e ndëshkimin e situatave në konflikt interesi.

Në bashkëpunim me agjencitë homologe, kryesisht të rajonit, prej dy vitesh kemi krijuar një rrjet koordinimi për zbulimin e aseteve dhe llogarive të padeklaruara nga ana e zyrtarëve shqiptarë.�
Gjithësesi, e vlerësojmë domosdoshmëri bashkëpunimin me organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, kryesisht me agjencitë e Bashkimit Evropian, ndër të cilët edhe PAMECA, për të pasur një suskses të dukshëm në drejtim të zbulimit dhe ndëshkimit të korrupsionit.
Informacione të shumta që mbërrijnë në adresë të Inspektoratit të Lartë për zyrtarë kryesisht të nivelit të lartë, na orientojnë drejt bankave apo zyrave të ndryshme jashtë Shqipërisë.

Kapacitetet tona institucionale, megjithëse po avancojnë nga viti në vit, kanë nevojë për një impuls të rëndësishëm, një bashkëpunim konkret me struktura ndërkombëtare. E pikërisht, në përballimin e kësaj sfide të rëndësishme, zbulimin e produkteve të korrupsionit shqiptar jashtë vendit do të kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në veçanti, misionit PAMECA.
Ju shprehim konsideratën më të lartë për kontributin e deritanishëm dhe ju sigurojmë se bashkëpunimi në vijim në terma konkretë do të ndikojë në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.

Ju faleminderit!