+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Raporti Vjetor, OSBE vlerëson progresin e ILDKP

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE) vlerëson “progresin e arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në rritjen e shkallës së ndjekjes së zyrtarëve të korruptuar” në nivele të ndryshme të administratës publike.

Në raportin vjetor të Ambasadorit të OSBE, Prezenca në Shqipëri, z. Eugen Wollfarth, paraqitur në Këshillin e Përhershëm të këtij organizmi më 8 Shtator 2011, konsiderohet pozitiv angazhimi i ILDKP edhe për trajnimin e administratës publike, me qëllim njohjen dhe zbatimin rigoroz të legjislacionit mbi konfliktin e interesit.

OSBE ka një qëndrim kritik ndaj trajtimit të rasteve të korrupsionit të evidentuara nga Inspektorati i Lartë. Në raport theksohet se “ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mosndjekja e këtyre rasteve nga Prokuroria”.

Duke vijuar më tej për çështje që lidhen me korrupsionin, OSBE thekson se  “lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku”.

Inspektorati i Lartë, me mbështetjen e OSBE, ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur trajnues me zyrtarë të administratës publike në nivel qëndror dhe lokal. Vetëm gjatë 12 muajve të fundit janë trajnuar pjesa më e madhe e administratës së ministrive e institucioneve të varësisë së tyre, si edhe drejtues të pushtetit lokal në qarqet kryesore të Shqipërisë. Kjo formë bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, OSBE ka ofruar ndihmesë edhe për organizimin e një fushate për ndërgjegjësimin e publikut kundër korrupsionit, si edhe ka ofruar ndihmën për të forcuar bashkëpunimin e organizmave joqeveritare me ILDKP.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN