NJOFTIM PËR SHTYP

AFERA KORRUPTIVE 4 MILIONË EURO NË SHQIPËRI GJOBITEN 2 MIJË DOLLARË

Në Shqipëri, Inspektoriati i Larte i Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive i kerkoi misionit policor te Bashkimit Europian PAMECA qe te mbeshtese hetimin e pasurive te zyrtareve shqiptare jashte vendit. Kryeinspektori Adriatik Llalla tha se ky eshte nje bashkepunim i nevojshem per te luftuar korrupsionin ne Shqiperi. Zoti Llalla tha se prokuroria ka hedhur poshte pa aresye disa hetime te zyrtareve nga Inspektoriati i Pasurive. Nga ana tjeter, ne Kodin penal mungojne nenet qe ndeshkojne personat e trete qe fshehin pasurite e paligjshme te politikaneve.

Zoti Llalla! Ju sapo i keni kërkuar misionit policor të Bashkimit Europian PAMECA që t’ju mbështesin në punën tuaj, sepse keni hasur vështirësi në hetimin e pasurive të zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Çfarë të dhënash konkrete keni, për cilat shtete bëhet fjalë dhe çfarë ndihme konkrete do të donit nga vendet anëtare të BE-së?

Zyrtarë të ndryshëm që kanë detyrimin ligjor për të deklaruar pasuritë, deklarojnë pranë institucionit tonë se disponojnë pasuri të tjera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, asete në forma të ndryshme. Po ashtu, pranë institucionit tonë vijnë informacione të ndryshme nga media, nga shoqëria civile dhe qytetarë në bazë të të cilave krijohen dyshime se zyrtarë të niveleve të ndryshme disponojnë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të deklaruara ose të padeklaruara prej tyre. Për verifikimin e këtyre deklarimeve dhe të njoftime që na vijnë nga këto burime informacioni është e nevojshme kryerja e verifikimeve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Këto veprime paraqesin vështirësi për t’u kryer nga ana praktike për arësye sepse shtrihen në territorin e disa shteteve dhe ILDKP nuk mund ta kryejë dot i vetëm këtë detyrë. Për këtë arësye iu kërkua mbështetje misionit policor të Bashkimit Europian PAMECA, i cili vepron prej disa vitesh në Shqipëri. Kjo kërkesë e jona u mirëprit nga misioni dhe gjeti mbështetjen e krerëve të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Cilat janë ato shtete ku do të donit të ishit më shumë i pranishëm?

Shtrirja e pasurive është pothuajse në të gjithë territorin e Europës, por edhe më gjerë. Megjithatë më të shpeshta janë në vendet e Bashkimit Europian. Më së tepërmi dyshime dhe të dhëna ka për në Greqi, Itali, Austri, Spanjë etj.

Cili është problemi më i madh që ndeshni në punën tuaj, krahas presioneve dhe politizimit të akuzave për korrupsion që partitë shkëmbejnë me njëra tjetrën? Cila është vështirësia më e madhe teknike që ju ndeshni në punën tuaj?

Në punën time dhe në veprimtarinë e gjithë institucionit, nuk kemi konstatuar asnjë rast të ndërhyrjes nga struktura të ndryshme politike në vendim-marrjet tona. Mendoj se institucione të tjera të drejtësisë e përdorin “ndërhyrjen apo presionin politik” më tepër si justikim tw mungesws sw rezultateve se sa ai ekziston në të vërtetë.

Cili është bashkëpunimi juaj me prokurorinë? A përfundojnë me sukses dosje që ju nisni atje?

Në lidhje me prokurorinë vijon të kemi të njëjtin shqetësim që kemi patur edhe më parë; pothuajse të gjitha rastet ose një pjesë e madhe e rasteve që ne dërgojmë pranë këtij institucioni nuk ndiqen me seriozitetin e duhur. Çështjet ose zvarriten me qëllim që ato të humbasin aktualitetin e tyre, ose pushohen në mënyrë të pajustifikueshme. Ne kemi ndjekur më pas rrugën ligjore duke ankimuar këto raste si pranë prokurorit të përgjithshëm dhe nëpër gjykata, por sërish prej tyre nuk ka patur angazhim për ndjekjen e këtyre rasteve dhe çuarjen e këtyre zyrtarëve që janë konstatuar me shkelje ligjore përpara përgjegjësisë ligjore, pra ndëshkimin e tyre në përputhje me krimin që kanë kryer.

Çfarë argumentash nxjerr prokuroria që hedh poshtë punën tuaj hetimore? Puna juaj nuk ka qenë e saktë?

Justifikimi që prokuroria ka nxjerrë në rastet që ka pushuar cështjet, sidomos tani para fushatës elektorale kryesisht ka qenë se zyrtari nuk ka dashur të shkelë ligjin por nuk e ka ditur se duhet ta deklaronte pasurinë por pa thelluar hetimet për mënyrën se si e ka krijuar këtë pasuri. Pra, prokuroria justifikon zyrtarin në anën subjektive, duke u mbështetur vetëm në thënien e tij, pa kryer as edhe një lloj hetimi tjetër verifikues. Vetëm vitin e kaluar ne kemi konstatuar në shkelje të ligjit 16 zyrtarë të cilët janë dërguar për ndjekje penale të mëtejshme në organin e prokurorisë. Një pjesë janë dërguar për gjykim, por pjesa tjetër organi i ndjekjes penale nuk ka vepruar, sipas vlerësimit tonë, duke mos e përmbushur detyrën në mënyrë të rregullt të detyrës, sepse ka pushuar në mënyrë të pabazuar akuzat ndaj këtyre zyrtarëve.

Lidhur me ligjin, a keni nevojë nevojë për ndonjë amendament që të forcohet veprimi juaj dhe ndëshkimi i krimeve korruptive?

Ky është një problem që e kemi ngritur në mënyrë të vazhdueshme. ILDKP, me mbështetjen e ekspertëve të ministrisë së drejtësisë dhe të programit EURALIUS që vepron pranë këtij institucioni, ka kërkuar amendimin e ligjit tonë. Po kështu edhe të nenit përkatës që bën fjalë për refuzimin e deklarimit të pasurive dhe për deklarimin e rremë në Kodin Penal. Këto ndryshime ligjor ende nuk janë përmbushur për shkak të mosfunksionimit të parlamentit.

Më konkretisht?

Ne dyshojmë se zyrtarë të ndryshëm pasurinë e tyre e fshehin në emër të personave të tretë; pra lidhje shoqërore familjare etj. Kodi Penal parashikon detyrim për deklarim pasurie të zyrtarit, por në rast se personat e lidhur me këtë zyrtar nuk deklarojnë pasurinë, ligji nuk parashikon sanksione ndaj tyre. Vitin e kaluar ishin disa raste të tilla që u bënë mediatike; raste deputetësh, ministrash, kur persona të lidhur me ta nuk deklaruan interesat private, ashtu siç neve u patëm kërkuar. Mospasja e një sanksioni ligjor në Kodin Penal ndaj këtyre zyrtarëve bëri që ata t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale. Kjo është një ndër pikat ku çalon më tepër kjo dispozitë ligjore dhe për këtë arësye kemi kërkuar amendimin e ligjit. Propozimi ynë ka shkuar deri në komisionin parlamentar të ligjeve, është miratuar aty, por nuk është miratuar në parlamentin shqiptar sepse ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë shumicë të cilësuar votash të deputetëve.

A mund ta saktësojmë çfarë ashpërsimi, të cilit nen kërkoni në Kodin Penal?

Ligji aktual nuk parashikon sanksion fare për personat e lidhur. Duhen shtuar nene edhe për pesonat e lidhur. Ne kemi me dhjetëra informacione që na vijnë nga qytetarë të ndryshëm ose, nga verifikimet që kryejmë vetë si ILDKP del se persona të lidhur me zyrtarët, edhe pse ligji kërkon që ata duhet të deklarojnë pasuritë, nuk parashikon sanksione kur ata nuk deklarojnë. Ligji ynë parashikon që në të tilla raste ne mund të aplikojmë ndaj tyre shuma gjobash deri në 2 mijë dollarë, siç bëmë vitin e kaluar. Rastet e vitit të kaluar bënin fjalë edhe për një ish-ministër, personi i lidhur me të cilin deklaronte se arriti brenda një periudhe gjashtëmujore fitime deri 4 milionë euro. Ky person sipas ligjit mund të gjobitet vetëm 2 mijë dollarë. Po kështu kanë qenë edhe raste të tjera persona të lidhur me deputetë që janë bërë publike vitin e kaluar.

Zotit Llalla! Ju falemnderit për intervistën!