+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

Fjala e Inspektorit të Përgjithshëm në Mbledhjen e Ndërmjetme të Bordit të Palëve të Interesit
PAMECA III – Misioni i Asistencës Policore i Komunitetit Europian në Shqipëri
10 Qershor 2011

 

I nderuar zoti Ministër i Brendshëm,
I nderuar Shkëlqesia Juaj, zoti Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri,
I nderuar zoti Burgaj,
Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot i pranishëm në Mbledhjen e Ndërmjetme të Bordit të Palëve të Interesit, si dhe të shpreh konsideratën për punën e përkushtuar të Misionit të Asistencës Policore të Komunitetit Europian në Shqipëri (PAMECA III).

Plani i Punës i paraqitur sot, pjesë e të cilit është dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si komponent përberës, së bashku me komponentët e tjerë synon luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, të evidentuara si probleme madhore të shoqërisë tonë.

Inspektorati i Lartë, si një ndër institucionet qëndrore përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit në rradhët e administratës publike shqiptare konsideron të frytshëm bashkëpunimin me Misionin PAMECA III, dhe përfshirjen e tij si komponent më vete, si një bashkëpunim pritshmëria e të cilit do të jetë konkrete. Për këtë qëllim, gjatë fazës së hartimit të planit të punës, Inspektorati i Lartë në bashkëpunim të ngushtë me stafin e ekspertëve të Misionit, ka evidentuar prioritetet kryesore të punës, por njëherazi dhe problematikën me të cilën përballemi, me qëllim përmirësimin e metodave të investigimit dhe përqasjes së tyre me praktikat më të mira ndërkombëtare. Një ndër problematikat e diskutuara gjerësisht është dhe hetimi i pasurive të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë jashtë territorit të vendit tonë. Shpeshherë gjatë procesit të punës ndeshemi me raste ku zyrtarë të niveleve të ndryshme, kryesisht të niveleve të larta dhe të mesme drejtuese, zotërojnë asete jashtë territorit të Shqipërisë, asete këto të deklaruara apo të padeklaruara nga ana e zyrtarëve. Kryerja e verifikimeve të mëtejshme si dhe hetimi i këtyre pasurive është i nevojshëm, por njëkohësisht është një proces pune i cili paraqet vështirësi nga ana jonë. Për këtë arsye, është kërkuar ndërmjetësimi dhe mbështetja e Misionit PAMECA gjatë kryerjes së këtyre verifikimeve dhe hetimeve. Madje Inspektorati i Lartë ka filluar punën në analizimin e rasteve konkrete në bashkëpunim me ekspertët e Misionit, bashkëpunim i cili do të mbështetet në praktikat më të mira të institucioneve homologe në vendet e Bashkimit Europian.

Ajo ç’ka evidentohet në raporte të ndryshme ndërkombëtare, por njëkohësisht dhe lehtësisht e konstatueshme, është fakti që praktikat e punës dhe standartet e ndjekura nga ILDKP për kryerjen e një hetimi terësor administrativ të pasurive të fshehura apo të padeklaruara, por dhe të rasteve të konfliktit të interesave, janë përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë angazhimi i mëtejshëm është i domosdoshëm për një luftë pa kompromis të korrupsionit në administratën publike. Për këtë qëllim, bashkëpunimi ndërinstitucional, sidomos në nivel operacional, me struktura të tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, është i nevojshmëm dhe i pashmangshëm. Plani i Punës i paraqitur sot, që do të konkretizohet nga institucionet përgjegjëse shqiptare, komponentë të këtij plani, në bashkëpunim me Misionin PAMECA III, e ofron këtë asistencë dhe mbështetje në funksion të përmirësimit të gjithanshëm të përformancës institucionale.

Plani i Punës paraqet sfida, objektiva dhe qëllime konkrete që duhet të ndërmerren dhe më pas të realizohen nga palët e përfshira. Realizimi i tyre përkthehet në forcim të kapaciteteve investiguese; forcim të bashkëpunimit institucional; përqasje të praktikave më të mira ndërkombëtare, sfida të cilat pa dyshim do të kenë sukses dhe arritje gjatë përmbushjes së misionit të Inspektoratit të Lartë.

Ju faleminderit !