ILDKP, raporti i kontrollit për deklaratën “Para fillimit të detyrës”

të subjektit Lulzim Basha

 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në përmbushje të transparencës maksimale, ndjek me vëmendje të gjitha informacionet mediatike që lidhen me interesat private të zyrtarëve, subjekte që deklarojnë periodikisht sipas ligjit.

Në këtë kuadër, ILDKP është vënë në dijeni për të dhënat e publikuara gjatë ditëve të fundit në gazetën “Shekulli”, lidhur me aktet noteriale të shit-blerjes së një apartamenti në Hollandë nga ish-Ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti, z. Lulzim Basha.

Në respekt të opinionit publik, ILDKP sqaron se nga shqyrtimi i materialeve që janë administruar nga ILDKP për vetëdeklarimet e z. Basha, rezulton se:

–          në deklaratën “Para fillimit të detyrës”, të dorëzuar në ILDKP më 4.10.2005, subjekti ka deklaruar, ndër të tjera, “apartament në Utrecht, Hollandë, në vlerën 510.000 gulden hollandez (GNL)

Më datë 25.10.2005, Inspektorati i Lartë ka nisur procedurën e kontrollit të plotë për zyrtarin Lulzim Basha. Për të realizuar një hetim sa më të detajuar mbi interesat private të subjektit, një grup kontrolli kreu verifikime në Utrecht të Hollandës, ku është marrë informacion në Zyrën Kadastrale të këtij qyteti, si edhe pranë bankave “PostBank Amsterdam” dhe “ABN-ARMO” Utrecht Hollandë. Nga kontrata e shit-blerjes, administruar në ILDKP, rezulton se apartamenti është blerë në shumën 480.690 (GNL), e cila përbëhet nga 445.454 GNL plus 45.000 GNL, e cila është depozitë garanci për kredinë e marrë. Kjo e dhënë është sqaruar nga subjekti në proces-verbalin e mbajtur në ILDKP më 30.09.2006. Ndërsa diferenca prej 29.310 GNL (10.407 euro) është shuma e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit. Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se burimi i blerjes së këtij apartamenti është një kredi e marrë në “PostBank”, në shumën 204.000 euro, e konvertuar me kursin e kohës rreth 480.000 GNL.

Pra, në raportin e kontrollit të plotë mbi deklarimin “para fillimit të detyrës”, të përfunduar më 04.12.2006, rezulton se vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510.000 GNL.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN