+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP, takim rajonal kundër korrupsionit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka drejtuar një takim dy-ditor të Rrjetit të Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit, që u zhvillua në Tiranë në datat 19-20 Prill 2011.

Gjatë këtij takimi, i cili u realizua me mbështetjen e Sekretariatit Rajonal Antikorrupsion, ekspertë të parandalimit të konfliktit të interesave nga më shumë se 10 vende të Europës Juglindore e më gjerë, diskutuan mbi aplikimin e strategjisë së përbashkët mbi evidentimin, parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në cilësinë e drejtuesit të këtij Rrjeti, shprehu vlerësimin për insticionalizimin e shkëmbimit të informacionit mes agjencive homologe. ”Një vit pas krijimit të Rrjetit, anëtarët tashmë kanë nisur shkëmbimin e ndërsjelltë të informacionit, kryesisht përsa i përket përmirësimit të kuadrit ligjor të vendeve të veçanta, por edhe për raste të dyshuara të korrupsionit” u shpreh z. Llalla.

Duke vlerësuar nismën e ndërmarrë për krijimin e Rrjetit së Iniciativës Rajonale, Inspektori i Përgjithshëm, z. Llalla, theksoi se qëllimi kryesor është vendosja e një klime ndërkombëtare bashkëpunimi, e cila tashmë ka dhënë rezultatet e para.

Të pranishmit në këtë takim patën mundësi të shkëmbenin eksperiencat e tyre mbi trajtimin e situatave korruptive në administratën publike, si edhe të diskutonin mbi përmirësimin e mekanizmave të hetimit administrativ me qëllim forcimin e shtetit ligjor në vendet e tyre.

Pjesë e axhendës së aktivitetit ishin edhe dy takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi dhe me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli (Çoba).

Dy drejtuesit e lartë të shtetit vlerësuan nismën për krijimin e këtij rrjeti rajonal kundër korrupsionit, si edhe shprehën mbështetjen e tyre për inciativat e Inspektoratit të Lartë për përmirësimin e kuadrit ligjor antikorrupsion në Shqipëri.

Rrjeti i Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit u krijua në muajin Maj 2010, në Tiranë, me mbështetjen e RAI Secretariat (Regional Anticorruption Initiative), organizëm me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Anëtarë të këtij organizmi janë institucione me objektiv kryesor luftën kundër korrupsionit dhe parandalimit të konfliktit të interesave. Shtetet pjesëmarrëse në Rrjetin e Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit janë: Shqipëria (e përfaqësuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive), Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Rumania, Moldavia dhe Spanja.

Ky organizëm përfaqëson një dëshmi konkrete për angazhimin e shteteve anëtare për luftën e vazhdueshme, të bashkërenduar dhe të koordinuar kundër korrupsionit në rajon.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), i cili përfaqëson Shqipërinë në këtë organizëm, u zgjodh me unanimitet Drejtues i Parë, si vlerësim për angazhimin maksimal në luftën kundër korrupsionit dhe në rezultatet konkrete të arritura në ndëshkimin e zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin publik. Nga ana tjetër, zgjedhja në drejtim të Rrjetit….është një vlerësim që i tejkalon kufijtë e një institucioni. Për herë të parë, një institucion i Republikës së Shqipërisë zgjidhet në pozicion drejtues në një organizëm  ndërkombëtar, pjesë e të cilit janë edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar nga shtetet pjesëmarrëse në Rrjetin e Iniciativës Rajonale, është arritur mirëkuptimi që Drejtimi i këtij organizmi të jetë me mandat një-vjeçar.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN