+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla: Asnjë tolerim për zyrtarët që nuk dorëzojnë formularin brenda datës 31 Mars

Deklarimi i pasurive, gjobë politikanëve që shkelin afatet

Nga Fatjona Mejdini

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) këto ditë është në kulmin e punës së tij. Brenda datës 31 Mars, të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar duhet të dorëzojnë deklaratën me ndryshimin e interesave private gjatë vitit 2010. Në një kohë kur debatet për pasuritë e politikanëve janë në qendër të vëmendjes më shumë se kurrë, procesi që administrohet nga ILDKP merr përmasa shumë të rëndësishme. Në një intervistë për gazetën ”Shqip”, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë, z. Adriatik Llalla, shprehet se do të ndëshkohen të gjithë ata zyrtarë që nuk respektojnë afatet e deklarimit. Gjithashtu, z. Llalla, flet edhe për masat e pritshme që institucioni që ai drejton do të aplikojë ndaj disa zyrtarëve për shkelje të ligjit për deklarimin e pasurisë dhe për konfliktin e interesave.

 

Z. Llalla, duke ardhur drejt zyrës Tuaj për të diskutuar mbi problemet e deklarimit të pasurisë, vura re një numër të madh zyrtarësh në ambjentet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Janë zyrtarë që kanë rezultuar me probleme apo kërkojnë ndihmesë për plotësimin e deklaratës së pasurisë, meqenëse po afron edhe afati i fundit për deklarimin e pasurisë?

Tashmë dihet nga të gjithë zyrtarët deklarues, por edhe nga publiku i gjerë që ka interes për pasuritë e zyrtarëve, se 31 Marsi i çdo viti është afati i fundit për deklarimin e interesave private “periodike/vjetore”. Në këtë formular, subjektet deklarues, të cilët janë zyrtarë të nivelit të lartë e të mesëm drejtues në administratën publike, zyrtarë të pushtetit lokal, punonjës të administratës tatimore e doganore, etj., plotësojnë të gjitha shtesat ose pakësimet në interesat e tyre private (pasuritë) gjatë vitit 2010 krahasuar me deklarimin e mëparshëm.

Këto ditë, shumë zyrtarë të niveleve të ndryshme i drejtohen Inspektoratit të Lartë për të marrë asistencën e duhur teknike e ligjore, me qëllim shmangien e gabimeve teknike në plotësimin e deklaratës së pasurisë. Për këtë arsye, në institucionin tonë është ngritur një strukturë e specializuar, e cila, në bazë edhe të kërkesave ligjore, ofron ndihmesën për çdo subjekt të interesuar. Inspektorati i Lartë shpesh herë zhvillon trajnime me zyrtarë të niveleve të ndryshme për plotësimin e deklaratës, si edhe për mënyrat e parandalimit dhe zgjidhjes së rasteve të konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Nga viti në vit vërehet një rritje e ndërgjegjësimit të zyrtarëve për respektimin e kërkesave ligjore dhe kjo vërehet qartë në faktin se ka një tendencë në zbritje përsa u përket formularëve që plotësohen me mangësi teknike.

 

E, nëse nuk respektohet afati i deklarimit, ILDKP aplikon gjobat, siç keni vepruar edhe në rastet e tjera, psh. edhe para disa ditësh kur gjobitët 12 zyrtarë pikërisht për vonesa në deklarimin “Pas largimit nga funksioni”…

Për çdo zyrtar, i cili nuk respekton afatet e përcaktuara ligjore për deklarim aplikohet masa administrative “gjobë”. Këto masa, në bazë të ligjit, bëhen publike, si edhe njoftohet institucioni epror i zyrtarëve për marrjen e masave disiplinore ndaj subjekteve që nuk respektojnë afatet. Sipas ligjit, gjobiten zyrtarët që nuk dorëzojnë brenda 30 ditëve nga marrja e funksionit deklaratën “Para fillimit të detyrës”; brenda 15 ditëve nga largimi nga detyra deklaratën “Pas largimit nga funksioni” dhe brenda datës 31 Mars të çdo viti deklaratën “Periodike/vjetore”. Pra, afati i fundit për deklarimin e interesave private për mbi 4500 subjekte që deklarojnë periodikisht është data 31 Mars 2011. Pas kësaj date, verifikohen rastet e vonesave dhe, nëse nuk janë të mbështetura në justifikime ligjore, ndëshkohen me masën administrative përkatëse.

Gjithashtu, duke nisur nga fundi i vitit të kaluar, Inspektorati i Lartë ka nisur të aplikojë masën administrative “gjobë” për të gjithë zyrtarët, të cilët, megjithëse kanë respektuar afatet ligjore për deklarim, nuk kanë plotësuar në formën e duhur formularin përkatës. Për çdo rast gabimi material në plotësim, ILDKP kërkon nga subjektet që, brenda afatit 15-ditor të paraqiten për ndreqjen e tyre. Nëse zyrtarët e neglizhojnë këtë kërkesë, ndaj tyre vendoset masa ndëshkuese “gjobë”. E theksoj këtë fakt pasi, nga kontrolli paraprak i deklaratave të mbërritura këto ditë në ILDKP vërehen në disa raste pasaktësi teknike, për të cilat zyrtarët do të ndëshkohen nëse nuk plotësojnë detyrimin për ndreqjen e tyre brenda periudhës së parashikuar në ligj.

Z. Llalla, duket se jeni i vendosur në ndëshkimin e zyrtarëve që nuk respektojnë anën formale dhe afatet e deklarimit….?

Inspektorati i Lartë ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar maksimalisht në ofrimin e asistencës për të gjithë zyrtarët, nëpërmjet trajnimeve dhe takimeve periodike. Ky angazhim ka qenë i mjaftueshëm për ndërgjegjësimin e zyrtarëve në respektimin e anën formale të plotësimit të deklaratës. Pra, nuk ka asnjë justifikim për zyrtarët që të neglizhojnë apo të mos respektojnë kërkesat e ligjit. Njëkohësisht, Inspektorati i Lartë do të vijojë të ndëshkojë edhe të gjithë ata zyrtarë, të cilët nuk deklarojnë pasurinë ose nuk i justifikojnë me burime të ligjshme krijimin e interesave të tyre private.

Z. Llalla, a mendoni se vlera monetare e gjobës, 20-30 mijë lekë të reja, është e mjaftueshme për të ndërgjegjësuar zyrtarët të respektojnë afatet kohore?

Masa administrative, pavarësisht nga vlera monetare, është një masë shtrënguese për zyrtarët e administratës publike. Gjithësesi, gjatë praktikës së ILDKP, është vënë re se kjo masë nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye, kemi paraqitur propozime për amendimin e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, ku ndër të tjera, kemi kërkuar që të rritet vlera e gjobës, me qëllim ndërgjegjësimin maksimal të subjekteve të respektojnë afatet ligjore. Edhe pse aktualisht kjo vlerë nuk është e lartë, aplikimi i saj krijon probleme tek zyrtarët. Kjo, për faktin se, në bazë të detyrimit ligjor, ILDKP bën publik çdo rast të shkeljeve ligjore. Ju siguroj se, edhe falë medias që përcjell në mënyrë rigoroze njoftimet e institucionit tonë, është rritur ndjeshëm shkalla e ndërgjegjësimit të subjekteve për plotësimin e detyrimeve të tyre ndaj ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive….” dhe ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive…”. Nga ana tjetër, përveç gjobës dhe publikimit të rastit në organet mediatike, ndaj zyrtarëve që shkelin ligjin kanë nisur të zbatohen edhe masat disiplinore nga eprorët ose institucionet e tyre eprore. Të gjitha këto masa ndëshkuese kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e performancës së Inspektoratit të Lartë, si një ndër agjencitë kryesore të specializuara për luftën kundër korrupsionit.

Institucioni juaj, në mënyrë direkte dhe indirekte, shpesh këto kohët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes, kjo falë rezultateve tuaja, por edhe debateve të forta publike mes politikanëve për pasuri të fshehura apo të padeklaruara. Cili është pozicioni i institucionit tuaj?

Pozicioni i Inspektoratit të Lartë është një dhe i vetëm; i bazuar në ligj. Falë forcimit të mekanizmave të hetimit administrative, Inspektorati i Lartë ka patur një rritje sasiore dhe cilësore në rastet e evidentimit të rasteve të fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë, rezultate të cilat janë bërë publike në çdo rast.  Në ditët në vijim, ILDKP do të bëjë publike edhe disa raste të tjera të shkeljes së ligjit për deklarimin e pasurisë dhe për konflikt interesash.

Gjithashtu, Inspektorati i Lartë ndjek me vëmendje çdo të dhënë të prezantuara në media apo edhe nëpërmjet formave të tjera të komunikimit publik dhe i vlerëson me përparësi gjatë proceseve kontrolluese që kryen në ILDKP. Kemi publikuar çdo rezultat kontrolli që ka pasur ndjeshmëri të lartë në opinion dhe mendojmë se kjo dëshmon një nivel transparence dhe respekt për publikun e gjerë.