+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP kallëzon penalisht 3 zyrtarë për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kallëzon penalisht dy zyrtarë lokalë dhe një punonjës të administratës tatimore, me akuzën e “mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Kujtim Qefalia, kryetar i Komunës Dajt, Tiranë; Sinan Shala, kryetari i Komunës Gosë, Kavajë; dhe Adrian Zhupa, me detyrë Përgjegjës i Agjencisë Tatimore Tepelenë, rezultojnë se kanë në zotërim pasuri më shumë sesa kanë vetëdeklaruar.

1. Kujtim Qefalia, kryetari i komunës Dajt

Në përfundim të kontrollit të plotë për interesat private të vetëdeklaruara nga subjekti Kujtim Qefalia, me funksion kryetar i komunës Dajt, Inspektorati i Lartë konstatoi këto probleme:

a- mosdeklarimin e 3 trojeve me sipërfaqe 1110 m2, (njëri prej të cilëve në bashkëpronësi), të blera me vlerë 5.9 milionë lekë;

b- mosdeklarimin e dy tokave arë, me sipërfaqe totale 17.000 m2, të blera me vlerë totale 22  milion lekë;

c- mosdeklarimin e një dyqani me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 200.000 lekë; dhe një magazinë, blerë me vlerë 3.5 milionë lekë.

d- mosdeklarimin e 3 automjeteve, për të cilat subjekti pretendon se janë jashtë përdorimit, por nuk posedon dokumentacionin përkatës

e- mosdeklarimin e një llogarie bankare, në shumë 475.000 lekë.

Gjatë hetimit administrativ ka rezultuar se nuk ka një burim të identifikueshëm për krijimin e pasurisë të krijuar ndër vite nga ana e subjektit. Në vitin 2007, subjekti ka shitur 100 % të aksioneve të tij në shoqërinë “Vllaznia” sh.p.k, në shumën 65.000.000 lekë. Të ardhurat e kësaj shoqërie, nga viti 1999 deri në momentin e shitjes, nuk janë tërhequr nga subjekti, por janë përdorur vetëm për rritjen e kapitalit themeltar. ILDKP ka krijuar dyshime të arsyeshme lidhur me mënyrën e shitjes së pjesëve në kapital të kësaj shoqërie tek një person i afërt me subjektin, jashtë sistemit bankar. Për të verifikuar mundësitë financiare të blerësit Y.K, ILDKP kërkoi, bazuar në ligj, “deklarim me kërkesë” tij, në cilësinë e personit të lidhur me subjektin Kujtim Qefalia. Por ky shtetas refuzoi deklarimin e interesave private në Inspektoratin e Lartë. Në mungesë të një parashikimi në Kodin Penal në rastet e refuzimit për deklarim nga “personat e lidhur”, ILDKP aplikoi ndaj tij masën administrative “gjobë”.

Për këto veprime jashtë bankare, ILDKP ka njoftuar organet tatimore për kryerjen e verifikimeve të transaksioneve financiare të deklaruara nga subjekti lidhur me shitjen dhe për pagesën prej tij të detyrimeve tatimore në burim.

I pyetur për problematikën e evidentuar, subjekti nuk ka dhënë sqarime bindëse në ILDKP dhe nuk ka dorëzuar dokumentacionin përkatës që justifikon pretendimet e tij.

Në përfundim të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ, ILDKP arriti në përfundimin se subjekti Kujtim Qefalia, ka bërë deklarim të rremë, ka fshehur pasurinë me vlera të konsiderueshme si dhe nuk ka burime të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar krijimin e tyre. Bazuar në këto konkluzione, Inspektorati i Lartë ia referoi çështjen organit të prokurorisë për fillimin e ndjekjes penale.

2. Sinan Shala, kryetar i komunës Gosë, Kavajë

Inspektorati i Lartë, në përfundim të kontrollit të plotë për subjektin Sinan Shala, me funksion kryetar komune në Gosë, Kavajë, ka konstatuar:

a– subjekti ka përfituar në mënyrë të paligjshme disa kabina plazhi së bashku me truallin, pronë publike, të ndodhura në zonën e plazhit të Karpenit, Kavajë. Këto asete më pas i ka shitur me vlerë reale 200.000 euro, por të deklaruara në ILDKP si të shitura në vlerën 5 milionë lekë. Nga verifikimet e kryera nga Inspektorati i Lartë, janë administruar me cilësinë e provës dy kontrata shitje me të njëjtin objekt dhe të njëjtat palë kontraktore. Në kontatën e depozituar nga subjekti në ILDKP, vlera e shitjes ishte 5 milionë lekë, ndërsa kontrata mbi bazën e të cilës është bërë edhe shlyerja totale e vlerës, e cila është zbuluar gjatë hetimit administrativ të ILDKP, është 200.000 euro.

b– mosdeklarim të kontratës së sipërmarrjes nga vajza e tij, me një kompani private, për ndërtim dyqani. Gjithashtu, është konstatuar deklarim i rremë dhe mosmbulim me të ardhura dhe burime të ligjshme për vlerën shtesë prej 50.000 euro, e përdorur për shlyerjen e këstit për blerjen e këtij dyqani. Subjekti pretendoi se burim për këtë shlyerje janë të ardhurat nga aktiviteti privat i djalit të tij. Por, nga komunikimi shkresor me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ILDKP ka konkluduar se aktiviteti privat i djalit të subjektit, si person fizik biznez i vogël, nuk krijon mundësi financiare për shlyerjen e këtij kësti.

c– deklarim i rremë dhe mospërputhje mes vlerës së deklaruar të shitjes së një shtëpie në Agnes, Kavajë në shumën 50.000 Euro, krahasuar me vlerën e kontratës në shumën 4.900.000 Leke, ku rezulton një diferencë prej 1.417.500 lekë.

Në përfundim të veprimeve investiguese, ILDKP ka bërë kallëzim penal për subjektin Sinan Shala, për “fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”.

3. Adrian Zhupa, Përgjegjës i Agjencisë Tatimore Tepelenë

Në përfundim të kontrollit të plotë, të kryer për vetëdeklarimin e subjektit Adrian Zhupa, me funksion Përgjegjës i Agjencisë Tatimore Tepelenë, Inspektorati i Lartë konstatoi se, gjatë disa viteve, subjekti nuk ka deklaruar likujditete në bankë, të cilat në 31.12.2009 ishin në shumën 2.811.773 lekë. Gjithashtu, nga analiza e deklarimeve vjetore të subjektit dhe të dhënave të siguruara gjatë procesit të kontrollit, ka rezultuar se interesat private të subjektit nuk mbulohen me burimet e deklaruara.

Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP arriti në përfundimin se subjekti ka bërë deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë. Bazuar në këto konkluzione, Inspektorati i Lartë ia referoi çështjen organit të prokurorisë për nisjen e ndjekjes penale.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN