FJALA NË TAKIMIN E NJËSIVE TË PËRBASHKËTA HETIMORE

 

E nderuar znj. Prokurore e Përgjithshme, Rama

Të nderuar zotërinj ministra Basha e Bode,

Të nderuar drejtues Çeku e Shaqiri,

Të nderuar kolegë, të ftuar e pjesëmarrës

Ka kaluar një vit e gjysëm nga nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes institucioneve tona, dhe duket se angazhimi ynë i përbashkët në mjaftë raste ka qenë efikas.

Po vëmë re se janë përmirësuar mënyrat e bashkëpunimit, ndërkohë që janë krijuar edhe struktura të koordinuara për hetime të thelluara të situatave të ndryshme korruptive. Gjithashtu, shkëmbimi i informacionit në kohë reale ka rritur ndjeshëm forcën goditëse ndaj zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin publik.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, falë edhe bashkëpunimit me struktura të tjera publike, vetëm për vitin 2010 ka dërguar për hetime të mëtejshme në organin e Prokurorisë 18 zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore, për të cilët është krijuar bindja me prova ligjore se pasuria e tyre është krijuar në mënyrë të padrejtë. Njëherazi, janë evidentuar, parandaluar e zgjidhur rreth 200 raste të konfliktit të interesave dhe për disa prej zyrtarëve që kanë shkelur ligjin, janë aplikuar masat administrative dënim me “gjobë” si dhe propozime për largimin e tyre nga funksionet publike.

Ndërkohë, Inspektorati i Lartë ka nën hetim administrativ zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët kanë kaluar në kontroll të plotë si detyrim ligjor për hetim periodik të interesave të tyre private. Për të qenë më efikas në kontroll, Inspektorati i Lartë ka nisur krijimin e strukturave të përbashkëta për hetimin në terren me organe mediatike e disa organizata të shoqërisë civile.

Të nderuar kolegë,

Jemi të bindur që suksesi në luftën kundër korrupsionit nuk arrihet as në një ditë, as në një vit dhe as nga një institucion i vetëm. Inspektorati i Lartë harton të gjitha mekanizmat hetues pikërisht me këtë kryefjalë : pra, bashkëpunimin.

Paralelisht me takimin e sotëm, në një tjetër ambient këtu në Tiranë, po zhvillohet një takim tjetër i rëndësishëm rajonal, ai i Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit, me pjesëmarrjen e agjencive kryesore të Evropës Juglindore, dhe që drejtohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si institucioni me performancën më të mirë në këtë drejtim në rajon.  Objektivi kryesor i atij takimi është pikërisht bashkërendimi i strategjive rajonale për forcimin dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit.

Bazuar në frymën e besimit reciprok, në shkëmbimin e ideve më të mira dhe mbi të gjitha, duke u udhëhequr nga idea madhore e funksionimit të institucioneve publike në shërbim vetëm dhe vetëm të qytetarëve shqiptarë, shpreh bindjen se takimet tonë të ardhshme do të jenë paraqitje e statistikave të suksesit.

Ju faleminderit!