NJOFTIM PËR SHTYP

Komisioni i Ligjeve miraton kërkesën e ILDKP për shtesë fondi për buxhetin 2011

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranoi propozimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për shtesë fondi në shumën 700.000 lekë në buxhetin e parashikuar për vitin 2011.

Përfaqësuesit e ILDKP prezantuan para deputetëve të Komisionit strategjinë institucionale, duke vënë theksin në përmirësimin e teknikave të hetimit administrativ në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave në radhët e administratës publike.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në këtë mbledhje vlerësoi propozimin e Inspektoratit të Lartë për disa ndryshime në strukturën e institucionit, të cilat forcojnë kapacitetin profesional në drejtim të rritjes së forcës goditëse kundër korrupsionit.

Në përfundim, të gjithë deputetët e pranishëm të Komisionin e Ligjeve votuan me unanimitet pozitivisht kërkesat e Inspektoratit të Lartë dhe vendosën t’ia kalojnë për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë në seancën e miratimit në tërësi të Buxhetit të Shtetit për vitin 2011.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN