NJOFTIM PËR SHTYP

”KONFERENCA ANTIKORRUPSION”

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar znj.zv.Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Evropës,

Të nderuar përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian,

E nderuar znj. Prokurore e Përgjithshme,

Të nderuar z.ministra e pjestarë të panelit,

Të nderuar  pjesëmarrës,

Ju falenderojmë për ftesën në këtë takim të rëndësishëm. Është kënaqësi të jemi pjesë e kësaj tryeze të nivelit të lartë, pikërisht në këtë moment, kur qytetarët shqiptarë përfituan nga liberalizimi i vizave për në vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë vendim historik për popullin shqiptar, një ndikim të rëndësishëm ka dhënë edhe zbatimi i strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, pjesë e të cilës është edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në aktivitetin tonë institucional jemi përqëndruar në forcimin e kapaciteteve profesionale për zbulimin dhe ndëshkimin e elementit korruptiv në rradhët e administratës publike, me qëllim përmbushjen e detyrës tonë ligjore si dhe arritjen e standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Brenda hapësirës së tij ligjore, Inspektorati i Lartë ka arritur rezultate të kënaqshme, të cilat janë vlerësuar si nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu edhe nga Komisionit Evropian, i cili më progres-raportin e publikuar vetëm pak ditë më parë në Bruksel, në pjesën për ”Luftën Kundër Korrupsionit në Shqipëri”, ka vlerësuar pozitivishtë punën e kryer nga ILDKP.

Inspektorati i Lartë gjatë veprimtarisë së tij, ka zbatuar me korrektësi kuadrin ligjor ekzistues, sidomos ligjin ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si një nga prioritetet e shtetit shqiptar, nëpërmjet të cilit garantohet një vendimmarrje e paanshme, transparente, në interesin më të mirë të mundshëm të publikut e të besimit të tij ndaj institucioneve publike. Për këtë qëllim, Inspektorati i Lartë ka ndërmarrë masa të shumta admnistrative ndaj të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë në rastet kur në veprimet e tyre është konstatuar ekzitenca e konfliktit ndërmjet interesave private dhe funskionit publik që ata ushtrojnë. Gjatë këtij viti, janë evidentuar, parandaluar, zgjidhur dhe ndëshkuar rreth 200 raste me konflikt interesi në radhët e administratës shtetërore, shifra të cilat janë tregues i rritjes së efikasitetit institucional të ILDKP. Gjithashtu, në kuadër të masave parandaluese të konfliktit të interesave, Inspektorati i Lartë në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtare, OSBE dhe USAID, gjatë vitit 2010, ka trajnuar rreth 600 zyrtarë të administratës publike, nga të cilët 450 punonjës të gjashtë ministrive janë trajnuar vetëm në dy muajt e fundit.

Institucioni ynë tashmë ka të dhëna të plota për pasuritë e deklaruara nga subjektet që kanë detyrim ligjor për deklarim si dhe ushtron kontrolle periodike për të verifikuar vërtetësinë e këtyre deklarimeve. Vetëm gjatë vitit 2010, Inspektorati i Lartë ka konstatuar në shkelje të ligjit ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” 18 zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore, për të cilët, krahas njoftimit në institucionet eprore për marrjen e masave administrative, i ka kallëzuar penalisht në organin e ndjekjes penale. Në disa raste të tjera, ILDKP ka aplikuar masën administrative ”gjobë” ndaj subjekteve për shkelje të rregullave të deklarimit të pasurive, të cilat nuk përmbanin elementë të veprës penale.

Këto statistika janë rezultat edhe i bashkëveprimit me struktura të tjera shtetërore, ndër të cilat mund të veçojmë edhe bashkëorganizatorët e këtij takimi, Departamentin e Kontrollit të Brendshëm, Administrativ dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave, i cili ka përcjellë në kohë të ndryshme pranë institucionit tonë informacione për raste të dyshuara ”të fshehjes së pasurisë” apo ”konfliktit të interesave” nga punonjës të administratës shtetërore.

Vlen të theksohet se tashmë efektet e ligjeve mbi të cilët vepron Inspektorati i Lartë janë të dukshme, por sfida institucionale qëndron në zbulimin e rasteve të krijimit të pasurive në mënyrë abuzive dhe regjistrimin e tyre në emra të personave të tjerë, familjarë apo të njohur.

Inspektorati i Lartë ka kërkuar prej disa kohësh amendimin e nenit përkatës në Kodin Penal, nëpërmjet të cilit të ngarkohen me përgjegjësi penale për mosdeklarim apo fshehje të pasurisë edhe ”personat e lidhur” me zyrtarin. Mungesa e këtij parashikimi ligjor ka krijuar në mjaftë raste pengim të hetimit të thelluar administrativ. Këshilli i Ministrave e ka miratuar amendimin përkatës, por ndryshimi ende nuk është formalizuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Inspektorati i Lartë, në aktivitetin e tij, ka krijuar dyshime se zyrtarë të niveleve të ndryshme zotërojnë pasuri më tepër se sa deklarojnë në formularin përkatës, për zbulimin e të cilave kërkohet përmirësim i teknikave investigative. Për të rritur performancën, ILDKP ka propozuar amendimin e ligjit ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe ligjit ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Këto amendime, të hartuara në bashkëpunim me ekspertët e Projektit PACA,  synojnë të rrisin forcën goditëse kundër korrupsionit në radhët e administratës publike. Për këtë arsye, Inspektorati i Lartë gjen rastin t’i bëjë thirrje të gjithë faktorit politik vendimmarrës të vlerësojë me përparësi miratimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e përgjithshme, e cila nuk mund të përballohet nga institucionet në mënyrë të veçuar nga njëri-tjetri, por kërkohet një bashkëpunim i ngushtë për rritjen e efikasitetit në ndëshkimin e rasteve abuzive. Gjatë fazës së hetimit administrativ, Inspektorati i Lartë ka shkëmbim informacioni korrekt me të gjithë institucionet publike që administrojnë regjistra të dhënash, veprimtari e cila ka ndihmuar në zbulimin e situatave korruptive. Për të gjithë rastet në të cilat janë konstatuar elementë të përgjegjësisë penale, Inspektorati i Lartë ia ka referuar organit të Prokurorisë për fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të këtyre subjekteve dhe  për të vijuar proçedura të mëtejshme në gjykatë.

Duhet të ndalem pikërisht në këtë moment, pasi vërehet me shqetësim se çështjet e referuara nga ILDKP nuk trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet e drejtësisë. Është fakt se numri i zyrtarëve të ndëshkuar për situata korruptive është shumë i vogël, gjë e cila ndikon negativisht në performancën e institucioneve shtetërore. Në disa raste, prej tyre janë pushuar çështjet që kanë pasur në shqyrtim për pasuri në dhjetra ose qindra mijëra euro të padeklaruara prej zyrtarëve ose të pajustifikuara prej tyre me burime të ligjshme. Çështjet në përgjithësi janë pushuar, duke iu referuar anës subjektive, pra me pretendimin se ”subjekti nuk ka pasur qëllim t’i fshehë apo të mos i deklarojë pasuritë”, në një kohë që nuk shqyrtohet thelbi i problemit, mënyra se si janë krijuar këto pasuri.

Inspektorati i Lartë aktualisht ka mbështetje të madhe tek opinioni publik dhe, pikërisht, në respekt të qytetarëve, jemi të angazhuar maksimalisht në zbulimin e situatave korruptive në administratën publike. Por nuk dëshirojmë që rezultatet tona të japin efekt vetëm në media dhe më pas çdo gjë të kalohet në heshtje nga institucionet përgjegjëse, e zyrtarët, të cilët nuk justifikojnë pasuritë e krijuara në mënyra të kundraligjshme e në shuma tepër të mëdha, të shpallen të pafajshëm.

Të nderuar pjesëmarrës,

ILDKP e ka ngritur edhe më parë këtë shqetësim dhe do të vazhdojë të këmbëngulë në këtë drejtim me synimin përcjelljen e mesazhit tek zyrtarët që abuzimi me pushtetin ndëshkohet me forcën e ligjit. Lufta kundër korrupsionit është qëllimi madhor i shtetit shqiptar dhe Inspektorati i Lartë, brenda kompetencave të tij ligjore, do të vazhdojë të japë kontributin e tij të rëndësishëm për realizimin e aspiratës kombëtare, integrimi e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ju faleminderit