NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP nis kontrollin për disa drejtues lokalë në Qarkun Korçë dhe Elbasan 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka nisur kontrollin e plotë për disa drejtues lokalë në qarkun e Korçës dhe të Elbasanit, për të cilët janë ngritur dyshime në media se po krijojnë të ardhura nëpërmjet shfrytëzimit të paligjshëm të pasurive pyjore.

Hetimi administrativ i Inspektoratit të Lartë përfshin kontrollin mbi krijimin e pasurisë së këtyre zyrtarëve, si edhe respektimin e kërkesave të parashikuara në ligjin nr.9367, dt. 7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” gjatë vendimmarrjes së tyre për hapësirat pyjorë në territorin e njësisë administrative ku ushtrojnë funksionet subjektet.

 

Kontrolli i Inspektoratit të Lartë do të shtrihet edhe në rrethin e “personave të lidhur” me zyrtarë publikë, subjekte deklarues, për të cilët është ngritur dyshimi në media se krijojnë pasuri nga veprime të paligjshme në këtë sektor ekonomik. 

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN