+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

FJALA E INSPEKTORIT TE PERGJITHSHEM, Z. ADRIATIK LLALLA NE PROMOVIMIN E  ”UDHEZUESIT PER HETIMIN E KORRUPSIONIT DHE KRIMIT FINANCIAR”

Takimi i sotëm organizohet në një moment shumë të rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Në prag të liberalizimit të vizave për qyterarët shqiptarë, institucionet publike kanë forcuar bashkëpunimin mes tyre për zbulimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të administratës publike, të përfshirë në afera korruptive, duke përmbushur në këtë mënyrë një nga kushtet kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit për Krijimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore, firmosur në muajin Maj 2009, ç’ka ka ndikuar në forcimin e efikasitetit institucional, ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve të zbulimit të zyrtarëve të pasuruar në mënyrë të paligjshme apo të gjendur në kushtet e konfliktit të interesave. Vetëm gjatë vitit 2010, Inspektorati i Lartë ka dërguar për ndjekje penale 14 zyrtarë, pasuria e të cilëve nuk justifikohej me burimin e krijimit. Gjithashtu, janë evidentuar, parandaluar, zgjidhur dhe ndëshkuar më shumë se 170 raste me konflikt interesi në radhët e administratës qendrore e vendore. Krahasuar me një vit më parë, Inspektorati i Lartë konstaton me kënaqësi se ka një rritje të ndjeshme të rasteve të zbuluara dhe kjo, falë konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Pikërisht, në këtë moment kur teknikat e investigimit administrativ po japin rezultate konkrete, botimi i “Udhëzuesit për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar”, nga OPDAT, në bashkëpunim me Projektin PACA, është një hap shumë i rëndësishëm për rritjen cilësore dhe sasiore të zbulimit të situatave korruptive.

Të nderuar të pranishëm,

Inspektorati i Lartë, gjatë aktivitetit të tij, po vë re një angazhim gjithnjë e më të madh të medias, shoqërisë civile dhe publikut në ofrimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Aktualisht, institucioni ynë ka nisur hetimin e hollësishëm për disa zyrtarë të lartë, pikërisht nga informacionet mediatike. Angazhimi i këtyre komponentëve të rëndësishëm socialë, ndërthurur me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe zbatimin e teknikave praktike të ofruara nga Udhëzuesi që po publikohet sot, do të na japë bashkërisht mundësi më të mëdha për promovimin e parimeve të mirëqeverisjes në Shqipëri.

 

Ju faleminderit