NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP-KLD, grup pune për transparencën e pasurive të gjyqtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) nënshkruan “Deklaratë të përbashkët” për krijimin një grup të përbashkët pune, me qëllim investigimin e thelluar dhe realizimin e transparencës mbi ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive të gjyqtarëve.

Në bazë të “Deklaratës…” së firmosur të Mërkurën (13.10.2010) nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla dhe Zv.Kryetari i KLD, z. Kreshnik Spahiu, “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në zbatim të kompetencave të tij..,merr përsipër të vendosë në dispozicion të grupit të punës çdo informacion për verifikim të zgjeruar dhe të thelluar të interesave private, për të cilët Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur aktualisht kontrollin e plotë. Ndërsa ILDKP, nga ana tjetër, merr përsipër të vërë në dispozicion të KLD informacione për raste të mundshme të konfliktit të interesit gjatë procesit të vendimmarrjes nga ana e gjyqtarëve”.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të “Deklaratës së Përbashkët” në ambjentet e ILDKP, drejtuesit e dy institucioneve nënvizuan faktin se bashkëpunimi ndërinstitucional po realizohet mbi raste konkrete, për të cilat aktualisht ka nisur investigimi i përbashkët.

KLD dhe ILDKP kanë në dispozicion një bazë të rëndësishme të dhënash të dyshimta mbi pasuritë e gjyqtarëve, të mbërritura kryesisht nga qytetarë në telefonin pa pagesë të Inspektoratit të Lartë 0800-9999, në adresën elektronike unedenoncoj@www.hidaa.gov.al, në media ose edhe nëpërmjet formave të tjera të komunikimit, të cilat shërbejnë si pikënisje për aktivitetin e grupit të përbashkët punës.

Njësia e përbashkët do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme, si edhe të çdo interesi tjetër privat, të gjyqtarëve dhe të familjarëve të tyre, që mund të përbëjë shkak për rënien në konflikt interesi.

Inspektorati i Lartë, pak ditë më parë ka nisur kontrollin e plotë për një numër të madh gjyqtarësh të të gjithë niveleve, gjë e cila nxiti edhe krijimin e grupit të përbashkët të punës, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin ndërmjet dy institucioneve ”për të dërguar para drejtësisë cilindo gjyqtar që krijon pasuri në mënyrë të paligjshme për shkak të funksionit të tij”.

Bashkëngjitur, teksti i plotë i deklaratës së përbashkët

 

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN

DEKLARATE E PERBASHKET

ILDKP DHE  KLD, GRUP PUNE PER TRANSPARENCËN

E PASURIVE TË GJYQTARËVE.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD), nisur nga ndjeshmëria e opinionit publik mbi funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, kanë krijuar një grup të përbashkët pune, me qëllim investigimin e thelluar dhe realizimin e transparencës mbi ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive të gjyqtarëve.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nga kontakti i drejtëpërdrejtë me ankuesit mund të vihet në dijeni të fakteve të dyshuara korruptive në radhët e gjyqësorit shqiptar. Prandaj, për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejt dhe konkrete rasteve të dyshuara, KLD është angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë, për të dërguar para drejtësisë cilindo gjyqtar që krijon pasuri në mënyrë të paligjshme për shkak të funksionit të tij.

Bazuar në ligjin Nr. 8811, dt.17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe ligjit Nr. 9049, dt.10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, si edhe në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të vitit 2004, grupi i përbashkët i punës do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme, si edhe të çdo interesi tjetër privat, të gjyqtarëve dhe të familjarëve të tyre, që mund të përbëjë shkak për rënien në konflikt interesi.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në zbatim të kompetencave të tij që burojnë nga ligji organik, konkretisht nenit 16/1/e, merr përsipër të vendosë në dispozicion të grupit të punës çdo informacion për verifikim të zgjeruar dhe të thelluar të interesave private, për të cilët Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur aktualisht kontrollin e plotë. Ndërsa ILDKP, nga ana tjetër, merr përsipër të vërë në dispozicion të KLD informacione për raste të mundshme të konfliktit të interesit gjatë procesit të vendimmarrjes nga ana e gjyqtarëve.

KLD dhe ILDKP kanë në dispozicion një bazë të rëndësishme të dhënash të dyshimta mbi pasuritë e gjyqtarëve, të mbërritura kryesisht nga qytetarë në telefonin pa pagesë të Inspektoratit të Lartë 0800-9999, në adresën elektronike unedenoncoj@www.hidaa.gov.al, në media ose edhe nëpërmjet formave të tjera të komunikimit, të cilat shërbejnë si pikënisje për aktivitetin e grupit të përbashkët punës.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi konkret, dy institucionet gjejnë rastin t’i bëjnë apel opinionit të gjerë publik, medias dhe shoqërisë civile, të ofrojë bashkëpunimin për forcimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, si edhe të japin ndihmesë të rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ne jemi të bindur se ndërveprimi i të gjithë faktorëve shoqërorë e politikë do të krijojë histori të rëndësishme suksesi në vendosjen para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të përfshirë në situata korruptive, duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e performancës së sistemit gjyqësor në shërbim të qytetarëve.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP                                             Zv.Kryetar i KLD  

ADRIATIK LLALLA                                                             KRESHNIK SPAHIU