NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP nis kontrollin e plotë për zyrtarët e lartë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka nisur procedurën e kontrollit të plotë, fazën e hetimit të hollësishëm të interesave private dhe burimet e krijimit të tyre për zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, ka firmosur Urdhërin për nisjen e kontrollit të plotë për 50 subjekte, në zbatim të nenit 17 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe nenit 26 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.

Në këtë fazë të rëndësishme të procesit të kontrollit, ILDKP, në funksion të një hetimi më të plotë administrativ për interesat private të zyrtarëve, kërkon bashkëpunimin e medias, shoqërisë civile dhe opinionit publik, të ofrojë të dhëna mbi pasuritë e zyrtarëve, për të cilat ka dyshime se janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Për të nxitur aktivizimin e qytetarëve në procesin e hetimit administrativ, ILDKP ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0800-999, si edhe adresën e-mail: “unedenoncoj@www.hidaa.gov.al

Lista e zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë është hartuar në zbatim të  nenit 17, pika 2 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2009 “Për parandalimin e konfliktit te interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sipas të cilit, “kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratë kryhet”:

 

A.        ÇDO 2 VJET PËR ZYRTARËT E PËRCAKTUAR NË:

a)         NENIN 27

Konkretisht:

– Kryeministri

– Zv/kryeministri

– ministrat

– zv/ministrat

b)         NENIN 30

Konkretisht:

i.          anëtarët e autoriteteve rregullatore

1.         Enti Rregullator i Energjisë

2.         Enti Rregullator i Ujit

3.         Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit

4.         Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare

5.         Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

ii.         anëtarët e Autoritetit të Mbrojtjes së Konkurrencës

iii.       Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

iv.        Zv/guvernatori

v.         anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

c)         NENIN 33

Konkretisht:

i.          Presidenti

ii.         gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese

iii.       gjyqtari i Gjykatës së Lartë

iv.        Kryetari i KLSH-së

v.         Prokurori i Përgjithshëm

vi.        Avokati i Popullit

vii.      anëtari i KQZ-së

viii.     anëtari i KLD-së

Bazuar në këtë dispozitë ligjore, numri i zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë është 300, nga të cilët për 50 subjkte ka nisur procedura e hetimit administrativ, ndërsa në ditët në vijim do të nisë e njëjta procedurë edhe për 250 zyrtarët e tjerë. Në listë nuk përfshihen vetëm ata zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët aktualisht janë në kontroll të plotë ose të cilëve nuk u është plotësuar afati dy-vjeçar për rikontroll.

Gjatë kryerjes së kontrollit të plotë, referuar nenit 26 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”;

Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë.

Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.

Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.

Bashkëngjitur, lista emërore e zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë.

Shkarko listën këtu.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN