+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP evidenton katër raste me konflikt interesi në pushtetin lokal

Tre zyrtarë të qeverisjes vendore në bashkinë e Sarandës kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet publike dhe drejtuesi i një ndërmarrje shtetërore në të njëjtën njësi administrative është tërhequr nga ushtrimi aktiv i profesionit të lirë privat, pasi kanë rezultuar në konflikt interesi.

Nga hetimit administrativ i kryer prej Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), bazuar në informacioneve që u ofruan nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, u evidentua me prova konkrete se zyrtarët e administratës lokale gjendeshin në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit.

Krahas detyrës publike, tre zyrtarët ushtronin njëkohësisht edhe profesionin e “ekspertit kontabël” për disa shoqëri tregtare, një pjesë e të cilave kishin përfituar fonde publike në procedurat tenderuese të zhvilluar në institucionin e tyre.

Gjithësesi, nga hetimi rezultoi se asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk ishte pjesëmarrës në proceset tenderuese, ku kanë dalë fitues shoqëritë, me të cilat kishin marrëdhënie financiare.

Në përfundim të hetimit administrativ, ndaj dy prej zyrtarëve u vendos masa administrative ”gjobë” për shkelje flagrante të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Gjithashtu, edhe drejtuesi i një ndërmarrje shtetërore në të njëjtën njësi administrative, i gjendur në kushtet e konfliktit të interesave, ka zgjidhur në formën e duhur ligjore papajtueshmërinë mes funksionit publik dhe aktivitetit privat, duke u tërhequr nga ushtrimi aktiv si  “ekspert i licensuar”.

Pas një serie të gjatë trajnimesh me zyrtarë të pushtetit vendor, Inspektorati i Lartë tashmë ka nisur hetimin në terren për të gjitha rastet e dyshuara të konfliktit të interesave në bashki dhe komuna.

Nga informacionet e mbërritura në ILDKP, nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit, sidomos me anën e numrit pa pagesë 0800-9999, ekzistojnë dyshime për situata me konflikt interesi edhe në disa bashki kryesore të vendit, të cilat tashmë janë pjesë e hetimit administrativ nga ana e Inspektoratit të Lartë.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN