+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, takim me përfaqësuesin e USAID, z. Frederick Yeager

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin 3-vjeçar me DPK Consulting, komponent i programit të Shtetit Ligjor/USAID, në përfundim të Projektit në Shqipëri.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në një takim të zhvilluar sot me Drejtorin Ekzekutiv të DPK Consulting, z. Frederick Yeager, falenderoi kontributin e çmuar që ka ofruar USAID-i për forcimin e kapaciteteve investiguese nëpërmjet asistencës tekniko-ligjore.

Z. Yeager, nga ana e tij, e cilësoi bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë tepër frytdhënës, duke bërë njëkohësisht edhe një përmbledhje të aktiviteteve më të rëndësishme të realizuar me ndihmën e DPK Consulting.

Me mbështetjen e programit të Shtetit Ligjor, Inspektorati i Lartë ka realizuar një seri të gjatë trajnimesh me zyrtarë të pushtetit qendror e vendor në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Gjithashtu, me ndihmën e ekspertëve të DPK Consulting, ILDKP realizoi për dy vite me radhë aktivitetin “ILDKP, me dyer të hapura”, një ndër risitë kryesore të institucioneve investiguese në Shqipëri.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN