NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP konsolidon bashkëpunimin me Komisionin e Caktimit të Konfliktit të Interesave të Malit të Zi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka hedhur një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal, duke intensifikuar raportet me Komisionin e Caktimit të Konfliktit të Interesave të Malit të Zi.

Në një vizitë dy-ditore të zhvilluar në Podgoricë, një delegacion i ILDKP, i kryesuar nga Inspektori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, krijoi mundësi konkrete për shkëmbimin e informacionit me zyrën homologe malazeze për raste të dyshuara të fshehjes së pasurisë.

Z. Llalla dhe Kryetari i Komisionit të Caktimit të Konfliktit të Interesave, z. Slobodan Lekoviç, gjatë bisedës së tyre, shprehën dëshirën për të intensifikuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve. Z. Llalla, u shpreh në takim se “bashkëpunimi ynë nuk është thjeshtë një akt formal, i firmosur në Memorandumin e Bashkëpunimit, por është shumë  më tepër. Mes institucioneve tona ka pasur dhe vazhdon të ketë shkëmbim informacioni për raste konkrete, të cilat janë me interes për të dyja palët”

Për z. Llalla, afërsia gjeografike mes dy vendeve tona, por mbi të gjitha “fryma e mirë e bashkëpunimit që ekziston mes dy institucioneve tona, është kthyer tashmë në një busull orientimi për raportet e agjencive të tjera homologe në rajon e më gjerë”.

Z. Lekoviç, nga ana e tij, vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin me homologët shqiptarë në vitet e fundit dhe këtë e dëshmoi edhe me mbështetjen e kandidaturës së Inspektoratit të Lartë për drejtimin e Rrjetit Informal të Agjencive Antikorrupsion të Europës Juglindore në aktivitetin e zhvilluar për krijimin e këtij organizmi rajonal në fillim të muajit Maj 2010 në Tiranë.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Komisioni për Caktimin e Konfliktit të Interesave të Malit të Zi kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi më 22 Gusht 2007 në Podgoricë.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN