NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP- 38 gjoba për vonesë në deklarim të interesave private

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka vendosur masën administrative ”gjobë” për 38 zyrtarë, të cilët nuk kanë respektuar afatet ligjore për deklarimin e interesave private.

Në përfundim të procesit të dorëzimit të deklaratave periodike/vjetore, ILDKP evidentoi 21 raste të zyrtarëve që kanë tejkaluar afatin ligjor, 31 Mars 2010. Gjithashtu, ILDKP konstatoi se 17 zyrtarë të tjerë nuk kanë respektuar afatin për dorëzimin e deklaratave “Para fillimit të detyrës” dhe “Pas largimit nga funksioni”.

Pas dokumentimit me prova shkresore, ILDKP aplikoi ndaj këtyre zyrtarëve masën administrative gjobë, bazuar në nenin 44/1/c të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30000 (tridhjetë mijë) lekë”.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN