+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Krijohet Rrjeti i Europës Juglindore kundër korrupsionit.

ILDKP zgjidhet drejtues

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) zgjidhet drejtues i parë i Rrjetit Informal për Çështje të Integritetit dhe të Konfliktit të Interesave në Evropën Juglindore, i cili u krijua sot në Tiranë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në planin rajonal.

Në mbyllje të takimit dy-ditor ”Bashkëpunimi ndërkombëtar për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive-një instrument në luftën kundër korrupsionit”, përfaqësuesit e institucioneve anti-korrupsion të 12 vendeve anëtare të Rrjetit zgjodhën Inspektoratin e Lartë si drejtuesin e këtij forumi ndërkombëtar, duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të institucionit në parandalimin e konfliktit të interesave.

Në bazë të Statutit të ”Rrjetit…”, të aprovuar në këtë konferencë, vendet anëtare do të angazhohen në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e parandalimit të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive.

Inspektorati i Lartë do të ketë rol drejtues të ”Rrjetit…” për një periudhë një-vjeçare dhe më pas, siç u vendos në Konferencë, mandati do t’i përcillet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Republikës së Maqedonisë.

Në ditën e parë të takimit, të organizuar nga Inspektorati i Lartë dhe Sekretariati i Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore, morën pjesë Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, të cilët vlerësuan pozitivisht aktivitetin e ILDKP-së, si edhe theksuan rëndësinë e konferencave të tilla për hartimin e strategjive të përbashkëta anti-korrupsion.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN