NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP, promotor i Rrjetit të Europës Juglindore kundër korrupsionit.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka iniciuar krijimin e Rrjetit Ndërkombëtar të agjencive të Europës Juglindore që kanë si objekt të punës së tyre parandalimin e konfliktit të interesave.

Në takimin rajonal dy-ditor ”Bashkëpunimi ndërkombëtar për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive-një instrument në luftën kundër korrupsionit”, që nisi punimet sot në Tiranë, Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim me Sekretariatin e Iniciativës Rajonale për Antikorrupsionin, diskutojnë me përfaqësues të 12 shteteve për hartimin e strategjive të përbashkëta në evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave, si edhe në zbulimin e elementit korruptiv në administratën publike.

Takimi, në të cilin merrin pjesë Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e parandalimit të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive; krijimi i një Rrjeti Informal për Çështje të Integritetit dhe të Konfliktit të Interesave, me qëllim shkëmbimin e informacionit, eksperiencës dhe praktikave më të mira në lidhje me objektin që është në fokus, si edhe aprovimin e Deklaratës dhe Statutit të krijimit dhe funksionimit të Rrjetit.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në cilësinë e bashkëorganizatorit të takimit, falenderoi homologët ndërkombëtarë, duke e cilësuar takimin si ”një provë të qartë të institucioneve pjesëmarrëse për vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit”.

Z. Llalla u prezantoi të pranishmëve aktivitetin e deritanishëm të Inspektoratit të Lartë, duke vënë theksin në aplikimin e standarteve perëndimore në evidentimin dhe parandalimin e korrupsionit në administratën publike.

Angazhimi i Inspektoratit të Lartë në ndëshkimin me forcën e ligjit ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin publik ka forcuar performancën institucionale, si edhe ka krijuar besimin e publikut të gjerë e shoqërisë civile, të cilët tashmë janë aktivë në denoncimin e rasteve të dyshuara korruptive”, theksoi më tej z. Llalla.

Në fund të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm shprehu besimin se ky takim dy-ditor do të finalizohet me krijimin e një Rrjeti Ndërkombëtar, i cili do të ndihmojë të gjitha shtetet palë të realizojnë më shumë histori suksesi në misionin e tyre.

Më tej, takimi u përshëndet nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i cili theksoi në fjalën e tij ”se lufta kundër korrupsionit nuk është ekskluzivitet i institucioneve tuaja, barra për të evidentuar dhe luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga funksionarët e shtetit nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni”.

Duke vlerësuar angazhimin e Inspektoratit të Lartë në parandalimin e konfliktit të interesave, si edhe në zbulimin e rasteve të fshehjes së pasurisë, z. Topi, u shpreh se ”qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri tek Presidenti. Por, është akoma më e rëndësishme, distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban. Kjo është fryma e shtetit ligjor, ky është shpirti i demokracisë, kjo është edhe sfida kryesore e institucioneve tuaja në raport me publikun”.

Vlerësime për aktivitetin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive u shprehën edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, e pranishme në këtë takim ndërkombëtar. ”Parlamenti mbështet tërësisht ILDKP-në dhe insitucionet anti-korrupsion në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mësojnë se sa i vërtetë ka qenë në deklaratën e pasurisë një politikan, një parlamentar, një kryetar bashkie, dhe nëse rezulton se s’ka qenë ashtu, natyrisht fillojnë problemet dhe aty ku fillon evidentimi i këtij problemi, fillon dhe zgjidhja e problemi”, u shpreh znj. Topalli

Në fund të sesionit të parë, takimi u përshëndet edhe nga znj. Vesna Ratkoviç, drejtuese e Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Anti-korrupsion, e cila e cilësoi takimin e sotëm në Tiranë si një forum me rëndësi shumë të madhe për krijimin e strukturave bashkëpunuese ndërmjet institucioneve homologe në rajonin Evropës Juglindore.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN