+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

FJALA E INSPEKTORIT TE PERGJITHSHEM, Z. ADRIATIK LLALLA NE TAKIMIN RAJONAL, DATE 3-4 MAJ

(HOTEL TIRANA INTERNATIONAL)

I nderuar z. President,

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit

Të nderuar përfaqësues të institucioneve homologe,

Të nderuar pjesëmarrës,

Eshtë kënaqësi e veçantë t’ju kemi sot këtu, në këtë takim të zgjeruar të institucioneve që kanë si objekt të punës së tyre luftën kundër korrupsionit.

Në vitin 2003, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me qëllim administrimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve të zgjedhur dhe disa nëpunësve publikë.

Dy vjet më pas, më 2005, Inspektoratit të Lartë iu shtuan kompetencat, duke u përcaktuar si Autoritet Qendror Përgjegjës për zbatimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave.

Në një periudhë pak vjeçare, institucioni ka arritur të aplikojë standarte të larta në evidentimin, parandalimin dhe shmangien e korrupsionit në administratën publike.

Në planin kombëtar, Inspektorati i Lartë tashmë ka një rol shumë të rëndësishëm tek krijimi i besimit tek opinioni publik se institucioni ynë është angazhuar seriozisht në zbatim të ligjit për të evidentuar, zbuluar dhe goditur rastet korruptive në administratën publike në të gjitha nivelet.

Në planin rajonal e më gjerë, institucioni ynë është angazhuar maksimalisht për të krijuar dhe forcuar raportet dhe bashkëpunimin reciprok. Dëshmi konkrete e këtij angazhimi është edhe ky takim dy-ditor, i cili është iniciuar nga Sekretariati i Inisiativës Antikorrupsion për Evropën Juglindore me mbështetjen e plotë të institucionit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Korrupsioni nuk është dukuri e një shteti të vetëm, as edhe e një grupi shteti të veçuar, por është një problem më i gjerë. Për këtë arsye, edhe lufta kundër tij është një sfidë që na përket të gjithëve, na nxit të krijojmë strategji të përbashkëta, të koordinojmë aksione ndërinstitucionale për të forcuar mekanizmat e parandalimit të elementit korruptiv në gjenezën e tij.

Të gjithë institucionet e pranishëm këtu kanë eksperienca pozitive në punën e tyre, të cilat mund të shërbejnë si një bazë e mirë për t’ju ardhur në ndihmë edhe e strukturave të tjera homologe.

Inspektorati i Lartë, në zbatim të kompetencave të tij ligjore, ka përmirësuar nga viti në vit mekanizmat e tij hetues. Në Shqipëri, detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë e kanë zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm, si edhe familjarët e tyre. Deklarimi i personave familjarë është një element shumë i rëndësishëm për evidentimin e pasurive të krijuara në mënyrë abuzive, pasi ekziston mundësia që zyrtarë, të cilët mund të përfitojnë në mënyrë të pandershme gjatë ushtrimit të detyrës publike, i regjistrojnë në emra të personave të tyre të afërt.

Inspektorati i Lartë, në raste të ndryshme, ka aplikuar masa administrative “gjobë” për raste të mosrespektimit të ligjit për deklarimin e pasurive e të konfliktit të interesave. Kur ka patur dyshime se janë konsumuar elementë të veprës penale, institucioni i është drejtuar organit të Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Ky aktivitet ka rritur perfomancën institucionale, si edhe ka krijuar besimin e publikut dhe shoqërisë civile, të cilët tashmë janë aktivë në bashkëpunimin me Inspektoratit të Lartë në denoncimin e rasteve të dyshuara korruptive.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo tryezë e gjerë diskutimi është një provë e qartë se ne jemi të vendosur për të përmbushur detyrimin tonë ligjor me saktësinë maksimale.

Duke ju falenderuar edhe njëherë që jeni në Shqipëri, uroj që finalizimi i bashkëpunimit tonë do të krijojë një rrjet të fuqishëm kundër korrupsionit dhe do të ndihmojë të gjithë vendet tona për të pasur shumë histori suksesi.

Kam nderim që t’i jap fjalën Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi

Ju faleminderit!