+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson aktivitetin institucional të ILDKP për vitin 2009

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson angazhimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në luftën kundër korrupsionit.

Në rezolutën për aktivitetin e institucionit për vitin 2009, Kuvendi vlerëson se ILDKP “ka dëshmuar një vullnet të mirë dhe është bërë nismëtar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me struktura të specializuara e përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit e krimit ekonomik, brenda dhe jashtë vendit”.

Në “Rezolutën për vlerësimin e punës së inspektoratit të lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive për vitin 2009”, e miratuar me shumicë votash në seancën plenare, Kuvendi i Shqipërisë konstaton se ILDKP;

–           Ka ushtruar me vendosmëri kompetencat e tij ligjore për dhënien e masave administrative dhe dërgimin e çështjeve në organin e akuzës, në zbatim të ligjit, për zyrtarët që kanë refuzuar deklarimin e interesave private, kanë fshehur pasurinë apo kanë bërë deklarim të rremë, si dhe për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave; si edhe;

–           Ka vazhduar trainimin me subjektet e parashikuara në ligj, në lidhje me zgjidhjen e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive duke synuar në këtë mënyrë rritjen e performancës së zyrtarëve të administratës në institucionet qëndrore dhe vendore.

Për vitin 2010, Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga ILDKP:

–           Të vijojë forcimin e kapaciteteve për administrimin e konfliktit të interesave në institucionet publike;

–           Të propozojë ndryshimet e nevojshme në legjislacion për rregullimin e pasojave juridike të shkaktuara nga situatat me konflikt interesi dhe për ndëshkimin e zyrtarëve apo personave të lidhur me ta, përgjegjës për konfliktin e interesit;

–           Të forcojë marrdhëniet publike e të promovojë veprimtarinë e vet, me qëllim sensibilizimin dhe edukimin nëpërmjet shembujve të veprimit të ligjit, si dhe për të rritur besimin e publikut në eficiencën e mekanizmave të veta antikorruptive;

–           Të kërkojë me më shumë forcë e vendosmëri nga organet e ndjekjes penale procedimin rezultativ të zyrtarëve të zbuluar prej tij në konflikt interesi apo në fshehje të pasurive të tyre;

–           Të informojë publikisht ose drejtpërdrejt Kuvendin për rastet kur autoritetet përgjegjëse, respektivisht Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Ministria e Drejtësisë neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë të zbuluar prej tij;

–           Të forcojë instrumentet e investigimit administrativ, sidomos në sektorë të jetës publike, ku fenomeni i korrupsionit është më i përhapur dhe besimi i publikut më i ulët;

–           Të vijojë forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj shoqërisë civile, medias dhe publikut të gjerë për informacionet e dhëna për rastet e denoncimit të shkeljes së ligjit për deklarimin e interesave private pasurore, si dhe për rastet e identifikimit të konfliktit të interesave.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN