+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP trajnon mbi 600 zyrtarë të ministrive për parandalimin e konfliktit të interesave

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka arritur një sukses të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar aftësinë e mbi 600 zyrtarë të institucioneve qendrore për parandalimin dhe shmangien konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Pas një serie të gjatë seminaresh trajnuese, të organizuara me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), si edhe me angazhimin maksimal të Ministrisë së Brendshme; të Financave; të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; të Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit, dhe Ministrisë së Bujqësisë, ILDKP krijon tashmë një urë të konsoliduar bashkëpunimi ndërinstitucional për shmangien e rasteve të përfitimit personal të personave që mbajnë pushtet publik.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në ceremoninë e ndarjes së çertifikatave për zyrtarët e trajnuar, u shpreh se “përfunduam një seri trajnimesh me një rezultat tejet domethënës; shumë zyrtarë të administratës qendrore tashmë janë njohës të mirë të masave parandaluese dhe të shmangies së konfliktit të interesave”.

Duke e konsideruar parandalimin e konfliktit të interesave si një ndër masat më të rëndësishme për të shmangur korrupsionin, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP theksoi se“investimi ynë i përbashkët në shmangien e konfliktit mes detyrës publike dhe interesave private të zyrtarëve do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e imazhit të punonjësve të administratës përpara opinionit të gjerë publik”.

Në fund të fjalës së tij, z. Llalla rikujtoi prioritetin e Inspektoratit të Lartë përsa i përket rasteve të abuzimit me pushtetin publik, duke theksuar se “pas një periudhe relativisht të gjatë aktiviteti ndërgjegjësues, tashmë fokusi i punës sonë është përqendruar kryesisht në ndëshkimin e rreptë të elementit korruptiv”.

Të pranishëm në këtë takim, Zv.Ambasadorja e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, znj. Renate Herrmanns dhe Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha vlerësuar maksimalisht angazhimin e Inspektoratit të Lartë për parandalimin e konfliktit të interesave.