+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP gjobit 9 zyrtarë për konflikt interesi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka vendosur masën administrative “gjobë” për 9 zyrtarë, pasi u vërtetua gjendja e konfliktit të interesave mes funksionit publik dhe interesave të tyre private.

Zyrtarët, punonjës të administratës tatimore e doganore, por edhe të institucioneve qendrore e njësive vendore, janë gjobitur me vlera nga 100.000 deri në 200.000 lekë, për shkak të shkeljes së kërkesave të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Pas gjobitjes nga Inspektorati i Lartë, 7 prej zyrtarëve kanë reaguar pozitivisht, duke marrë masat për zgjidhjen e konfliktit të interesave.

Dy zyrtarë, Anastas Leka me funksion Këshilltar në institucionin e Avokatit të Popullit dheArben Karafili, doganier në degën e Doganës Kakavijë, ende nuk kanë marrë masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit mes funksionit publik dhe interesave private.

Subjekti Anastas Leka ka qenë administrator i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, veprimtari private që i ndalohet shprehimisht në nenit 38 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005. Pavarësisht konstatimit nga ana e ILDKP, në kundërshtim me ligjin, subjekti nuk ka kryer veprimet për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit, por ka kaluar nga “administrator” në “person fizik”, gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 31 të ligjit.

Subjekti Arben Karafili është në kushtet e konfliktit të interesave pasi, sipas nenit 32 dhe 38 të ligjit nr.9367, dt. 07.04.2005, funksioni i tij si doganier bie ndesh me interesat private të një prej personave të lidhur të tij (sipas kuptimit të ligjit janë prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortes dhe fëmijët madhorë). Ky “person i lidhur” zotëron në mënyrë aktive pjesë në kapitalin e një shoqërie që ka si objekt të aktivitetit të saj tregtim i mallrave të ndryshme industriale, ushqimore… në vend dhe import eksport, si edhe transport mallrash për vete dhe të tretë brenda e jashtë vendit, aktivite që përfshihet në sferën e veprimtarisë së subjektit. Deri në ditën e sotme, Inspektoratit të Lartë nuk i rezulton të jenë kryer veprimet e duhura nga zyrtari për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit.