+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP, kallëzim penal një Drejtor Drejtorie në MPPTT dhe një Kryetar Komune

Një Drejtor Drejtorie dhe një Kryetar Komune janë kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për “deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”.
Kujtim Hashorva, zyrtar në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe Ymer Marku, drejtues i komunës Bërxull, Tiranë, nuk kanë arritur të justifikojnë burimin e krijimit të pasurive të tyre.

I.

Nga kontrolli i kryer në ILDKP për vërtetimin e saktësisë së vetëdeklarimit të subjektit Kujtim Hashorva, rezultoi se zyrtari nuk kishte deklaruar:
a) Një dyqan 240m² me vlerë 360 mijë euro; b) Një kredi të marrë në Tirana Bank, në shumën 25 milion lekë; c) llogari bankare në emër të tij, në vlerën totale 690 mijë lekë dhe 4000 euro.
Nga korrespondenca me Tirana Bank, ILDKP është vënë në dijeni se subjekti, me cilësinë e kredimarrësit ka marrë hua në shumën 25.000.000 lekë për blerje dyqani me sip.240m2, në Tiranë. Sipas kontratës së sipërmarrjes, për blerjen e dyqanit ka paguar cash 160.000 euro me lidhjen e kësaj kontrate me investitorin, në dt.15.02.2005. Po ashtu, sipas nxjerrjes se llogarisë së kredisë, rezulton se Kujtim Hashorva, gjatë viteve 2007-2009 ka shlyer kredinë në shumën totale 6.875.000 lekë. Nga analiza e deklarimeve të tij vjetore, ILDKP konstaton se vlera e detyrimeve të shlyera dhe asetet e krijuara, nuk mbulohen me të ardhurat e tij.
I pyetur për këto fakte, subjekti ka deklaruar në ILDKP se ”nuk e kam marrë unë këtë kredi dhe për pasojë nuk ka patur arsye për të likujduar ndonjë vlerë monetare“. Zyrtari ka pranuar që është bërë një kontratë për blerje dyqani, por deklaron se në momentin e nënshkrimit të kontratës së kredisë, ka qenë ”për mjekim jashtë shtetit dhe ekzistencën e kësaj kredie e ka marrë vesh shumë kohë më vonë“. Po ashtu, për shumën prej 160.000 euro që pretendohet të jetë dhënë prej tij, subjekti thekson se kjo vlerë nuk është paguar, por ”është shtuar prej investitorit për të demonstruar garanci dhe kredibilitet në realizimin e marrëveshjes“.
Lidhur me vlerat e padeklaruara bankare, subjekti është shprehur se janë krijuar nga të ardhurat personale dhe familjare.
Në përfundim të kontrollit të plotë dhe hetimit administativ të ushtuar ndaj deklaratave të interesave private të subjektit Kujtim Hashorva, bazuar në rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera, është arritur në përfundimin se subjekti ka bërë deklarim të rremë, nuk ka deklaruar interesat e tij private dhe burimet e krijimit të tyre.
Për këto arsye, ILDKP ka kërkuar fillimin e procedimit penal për veprën penale “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nepunesve publike”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal ndaj subjektit të deklarimit të interesave private Kujtim Hashorva si dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me vërtetësinë dhe rregullsinë e dokumentacionit për marrjen e kredisë në Tirana Bank.

II.

Inspektorati i Lartë ka kërkuar nisjen e procedimit penal edhe për subjektin Ymer Marku, me funksion kryetar i Komunës Bërxull, Tiranë. Në përfundim të kontrollit të plotë, bazuar në rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera gjatë hetimit adminstrativ, si dhe ekspertiza e specializuar per vlerësimin e pasurisë, verifikimet ne terren, etj, është arritur në përfundimin se subjekti ka bërë deklarim të rremë lidhur me të dhënat e pasurisë së paluajtshme dhe ka fshehur likuiditete te vendosura ndër vite në bankat e nivelit të dytë si më poshtë:
a) Bar-Restorant Domje, vlera e deklaruar nga subjekti është 5.000.000 leke. Nga Raportit të Vlerësimit të datës 03.02.2010 të ekspertit vlerërues, rezulton se prona objekt shqyrtimi është vlerësuar në shumën 12.591.000 lekë. Pra, është deklaruar 7.591.000 lekë më pak.
b) Autoveturë deklaruar 1.500.000 lekë. Nga hetimi administrativ ka rezultuar që ky automjet është blerë në shumën 19.375 euro ose e vlerësuar me kursin e Bankës së Shqipërisë, në shumën 2.359.488 lekë. Pra, është deklaruar 859.788 lekë më pak.
c) Depozita bankare dhe llogari rrjedhëse në Tirana Bank, në shumat në total 11.340 euro.
d) Depozitë afatshkurtër në vitin 2006 shuma 71.700 euro, (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
e) Depozitë afatshkurtër në vitin 2007, në llogarinë në lekë shuma prej 4.500.000 lekë (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se pasuritë dhe interesat private të subjektit Ymer Marku, objekt i verifikimit të ILDKP, nuk mbulohen dhe as nuk justifikohen me burime të ligjshme, që në total ka vlerën 22.656.000 lekë.