+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP firmos Marrëveshje Bashkëpunimi me
Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Komisionieri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KMPD) angazhohen të bashkërendojnë aktivitetin e tyre për realizimin e transparencës, duke respektuar detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe aktet kombëtare e ndërkombëtare për ruajtjen e privatësisë së personave.

Nëpërmjet një Marrëveshje Bashkëpunimi të firmosur sot (e premte-05.02.2010) ndërmjet Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, z. Adriatik Llalla dhe Komisionerit, znj. Flora Çabej, dy institucionet do të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë për Hartimin e Kodit të Etikës, si edhe për hartimin e rregulloreve për sigurinë e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.

Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, z. Llalla e vlerësoi këtë angazhim si një “shenjë e seriozitetit maksimal që kanë dy institucionet tona për ruajtjen e një prej principeve kryesore të të drejtave të njeriut, ruajtjen e privatësisë së personave”.

Inspektori i Përgjithshëm theksoi më tej se, ILDKP i kushton një rëndësi të veçantë përmbushjes së detyrimit ligjor për transparencë, natyrisht, duke ruajtur edhe konfidencialitetin për të dhëna të cilat janë parashikur të përdoren vetëm për efekt hetimi administrativ”.

Aktiviteti i sotëm u mbështet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i cili është një ndër partnerët ndërkombëtarë kryesorë në aktivitetin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.