+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

1. ILDKP, kallëzim penal për Kryetarin e Komunës Kolsh, fshehu pasuri mbi 30 milionë lekë të reja
2.Kallëzohet penalisht ish-deputeti Hajrulla Paturri për “refuzim për deklarim”

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kallëzon penalisht kryetarin e Komunës Kolsh, Qarku Kukës, Abedin Oruçi, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja, si edhe ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Hajrulla Paturri për “refuzim për deklarim të interesave private”.
1.
Pas kontrollit të ushtruar nga ILDKP ndaj subjektit Abedin Oruçi, rezultoi se në vetëdeklarimet e tij pranë ILDKP, zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës.
Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si edhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij.
Për të krijuar një situatë më të qartë mbi vlerën financiare të investimit të kryer nga zyrtari, ILDKP kërkoi mendimin e një eksperti të liçensuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili shqyrtoi të dhënat e vetëdeklaruara prej z. Oruçi në zyrat e ALUIZNI-t (vetëm për tre objektet e banimit). Në opinionin e ekspertit vlerësues, vlera e ndërtimeve të padeklaruara në Inspektoratin e Lartë nga Kryetari i Komunës Kolsh është 31.413.017 lekë të reja, shumë, e cila për më tepër, nuk justifikohet nga të ardhurat e subjektit ndër vite.
Bazuar në këto përfundime, ILDKP kërkon nga organi i Prokurorisë nisjen e procedimit penal ndaj subjektit Abedin Oruçi, për veprën penale “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nepunesve publike”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal ndaj subjektit të deklarimit të interesave private Abedin Oruçi, me funksion Kryetar i Komunës Kolsh të Qarkut Kukës.

2.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kërkon nga organi i Prokurorisë nisjen e procedimit penal për ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Hajrulla Paturri, për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Subjekti Paturri, në dijeni të plotë të detyrimit për deklarim të interesave private brenda 15 ditëve “pas largimit nga funksioni”, parashikuar nga neni 15/7 i ligjit Nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i njoftuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i komunikuar drejtëpërdrejtë nga Inspektorati i Lartë, nuk ka përmbushur ende detyrimin ligjor. Në muajin Nëntor 2009, ILDKP ka vendosur masën administrative “gjobë” ndaj ish-zyrtarit për “vonesë në deklarim”, fakt i cili është bërë publik në media. Pavarësisht këtyre masave, subjekti ende nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private, duke konsumuar elementët e veprës penale “refuzim për deklarim…”.