+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP kallëzon penalisht Kryetarin e Komunës Udenisht
Fshehu pasurinë truall/ndërtimi 2193 m2, me vlerë ndërtimi mbi 45 milionë lekë të reja

Kryetari i Komunës Udenisht, Pogradec, Nexhmi Dokollari, kallëzohet penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për “mosdeklarimin e një pasurie me sipërfaqe 2193 m2 dhe me vlerë ndërtimi 45.261.327 lekë të reja”, përfundim i cili rezultoi pas një hetimi të plotë administrativ, nga verifikimi në terren dhe ekspertiza e realizuar nga ekspert vlerësues për pasuritë.

Bazuar në procedurat e kontrollit të përcaktuara me ligj dhe mbi dyshime të publikuara në media mbi aktivitetin publik të subjektit Dokollari, Inspektorati i Lartë ka nisur një hetim administrativ lidhur me vërtetësinë e vetëdeklarimit të zyrtarit. Pas korrespondencës me të gjitha institucionet, ku administrohen regjistra publikë, rezultoi se, në deklaratat e interesave private në vite të ndryshme, subjekti me funksion Kryetar Komune, nuk ka deklaruar:

1. Një sipërfaqe truall ndërtimi 600 m2 (përgjigje nga ZVRPP-Pogradec)

2. Aktivitet Privat-person fizik për prodhimin intertesh (përgjigje nga QKR)

Bazuar në këto të dhëna, Inspektorati i Lartë kërkoi sqarime nga subjekti Dokollari, i cili u shpreh se nuk i ka paraqitur në deklaratën e pasurisë pasi, në pronën në emër të tij, të përfituar në vitin 1992 nga ligji Nr.7501, po ndërtohet një objektit 1-2-4 kate, me vlerë totale 8 milionë lekë të reja, “të realizuar me të ardhurat e vëllait të tij, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash”. Për këto veprime financiare me personin e tij familjar, nuk ka paraqitur në ILDKP asnjë provë që vërteton versionin e tij. Ndërsa sa i përket aktivitetit privat, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), është shprehur se nuk e ka deklaruar pasi “ky aktivitet nuk është hapur asnjëherë” për probleme teknike me ndotjen e ambjentit”.

Për të saktësuar tërësisht sipërfaqen dhe vlerën e truallit të ndërtimit e objektit mbi të, që figurojnë në emër të subjektit, ILDKP, bazuar në nenin 29 të ligjit Nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, caktoi një ekspert të liçensuar për vlerësimin e kësaj pasurie. Në raportin përfundimtar të ekspertit, rezulton se “prona objekt vlerësimi, është godina 1-2-4 katëshe mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, në fshatin Udenisht të Pogradecit shtrirë mbi truallin me sipërfaqe 600 m2. Sipërfaqja totale e ndërtimit është 2.193 m2, me një vlerë totale 45.261.327 lekë (Dyzet e pesë milion e dyqind e gjashtëdhjetë e një mijë e treqind e njëzet e shtatë). Punimet në godinë janë të papërfunduara dhe nuk ka asnjë mobilim”.

Subjekti Nexhmi Dokollari paraqiti kundërshtimet e tij për përfundimet e raportit, por Inspektorati i Lartë vlerëson se ekzistojnë elementë të vërtetuar me prova ligjore për “fshehjen e pasurisë” nga ana e Kryetarit të Komunës Udenisht, Pogradec.

Në përfundim të analizës së hollësishme mbi vetëdeklarimet e subjektit, ILDKP dërgon kallëzim penal në organin e Prokurorisë, duke kërkuar fillimin e procedimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.