+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP-OSBE, takim me shoqërinë civile për luftën kundër korrupsionit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) nxit forcimin e bashkëpunimit të institucioneve publike me shoqërinë civile, me qëllim arritjen e suksesit në luftën kundër elementit korruptiv në administratën publike.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), ILDKP diskutoi në një takim të zgjeruar me përfaqësues të institucioneve kryesore të investigimit dhe organizatat joqeveritare për krijimin e strategjive mbi përmirësimin e imazhit publik të administratës shtetërore.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, e cilësoi takimin e sotëm si një hap të rëndësishëm për krijimin e dualitetit ndërmjet institucioneve shtetërore e shoqërisë civile, me qëllim realizimin e transparencës së plotë të aktivitetit publik të administratës.

Inspektorati i Lartë ka dëshmuar angazhimin e tij për të dhënë asistencë dhe mbështetje për projektet serioze të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus të tyre zbulimin e elementit korruptiv në radhën e zyrtarëve të administratës publike. “Këtu janë të pranishëm edhe përfaqësues të këtyre organizmave, për të cilët institucioni ynë ka shprehur vlerësimin maksimal për bashkëpunimin e frytshëm” theksoi z. Llalla.

Duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të aktorëve të shoqërisë civile në projekte antikorrupsion, drejtuesi i ILDKP u shpreh se “Inspektorati nxit të gjithë aktorët e organizmave joqeveritarë që të forcojnë më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë, pasi e vlerësojmë si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e abuzivitetit me pushtetin publik nga ana e personave që ushtrojnë funksione në mbrojtje të këtij interesi”.

Duke e përmendur informalitetin në regjistrimin e pasurive në regjistrat publikë si një problem thelbësor për një hetim të thelluar administrativ ndaj interesave private të zyrtarëve, z. Llalla sugjeroi “shtimin e mëtejshëm të presionit pozitiv të organizmave joqeveritarë ndaj institucioneve publike, për të qenë më aktiv në luftën kundër korrupsionit”.

Në takim përshëndeti edhe Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Robert Bosch, z. Arben Doçi, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, si edhe z. Arben Kraja e z. Altin Dumani, përkatësisht përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Njësisë Task-Force antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Gjithashtu, në emër të të shoqërisë civile, përshëndeti z. Lutfi Dervishi, përfaqësues i Transparency International-Albania.

Më tej, të pranishmit nga organizmat joqeveritarë diskutuan gjerësisht mbi aktivizimin e tyre të deritanishëm në projektet kundër korrupsionit, si edhe prezantuan ide e strategji për forcimin e bashkërendimin e luftës kundër korrupsionit.