NJOFTIM PËR SHTYP

Fjalimi i Inspektorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në takimin me Shoqërinë Civile,

i realizuar me mbështetjen e OSBE, dt. 9.12.2009


I nderuar z. Ambasador i OSBE,
Të nderuar pjesëmarrës,

Në ditën simbol të luftës kundër korrupsionit, është kënaqësi të jemi këtu me Ju. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka si prioritet të punës së tij realizimin e transparencës maksimale me publikun. Kjo tashmë është e vërtetuar plotësisht, pasi në mënyrë periodike publikohen në media rezultate të punës së institucionit për problematika të ndryshme.

Në këtë kuadër, edhe ky takim i sotëm, i ideuar dhe i realizuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka për qëllim forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizmave joqeveritarë.

Në aktivitetin tuaj të përditshëm, Ju synoni krijimin e një administrate publike me etikë perëndimore. Niveli i dëshmuar prej Jush ka arritur një standart të lartë dhe, kjo është arsyeja që jemi sot të gjithë bashkë, të vjelim nga njëri-tjetri praktikat më të mira për të finalizuar në arritjen e misionit dhe suksesit të përbashkët, në luftën kundër korrupsionit.

Inspektorati i Lartë ka dëshmuar angazhimin e tij për të dhënë asistencë dhe mbështetje për projektet serioze të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus të tyre zbulimin e elementit korruptiv në radhën e zyrtarëve të administratës publike. Këtu janë të pranishëm edhe përfaqësues të këtyre organizmave, për të cilët institucioni ynë ka shprehur vlerësimin maksimal për bashkëpunimin e frytshëm.

Ne nxisim të gjithë aktorët e organizmave joqeveritarë që të forcojnë më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë, pasi e vlerësojmë si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e abuzivitetit me pushtetin publik nga ana e personave që ushtrojnë funksione në mbrojtje të këtij interesi.

Inspektorati i Lartë, si një ndër institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e tij intelektuale e ligjore për të arritur sukses në përballimin e kësaj sfide. Por, duhet pranuar se, si çdo sfidë madhore, vështirësitë janë të mëdha. Problemi më i madh në aktivitetin tonë të përditshëm është informaliteti i ekonomisë shqiptare, mungesa e regjistrave të plotë mbi pasuritë e paluajtshme dhe tjetërsimi i pasurive, të krijuara në mënyrë abuzive, tek emrat e personave të tjerë.

Mundësitë e Inspektoratit të Lartë, pavarësisht mbështetjes që kemi nga të gjitha institucionet, janë të kufizuara pikërisht për shkak të këtij informaliteti.

E, pikërisht, këtu kërkohet ndihmesa e shoqërisë civile dhe medias. Ne jemi të bindur se Ju keni potencialin e duhur për të kryer investigime të pavarura mbi zyrtarët e dyshuar për përfshirje në situata korruptive. Ju keni lirshmërinë, gjithnjë brenda kuadrit ligjor, për të shënjestruar korrupsionin në themel të tij. Pra, ju jeni një sistem alternativ për përmirësimin e administratës publike.

Ne së bashku, Inspektorati i Lartë dhe shoqëria civile, jemi dy vektorë që shkojmë në të njëjtin kah. Ky pozicionim në hapësirën kundër korrupsionit na nxit që të krijojmë së bashku një dualitet të fortë, një aleancë solide.

Po ashtu, ne do t’ju sugjeronim dhe do të mirëprisnim shtimin e mëtejshëm të presionit pozitiv të organizmave joqeveritarë ndaj institucioneve publike, për të qenë më aktiv në luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht angazhimit të deritanishëm, ILDKP vëren se ende ka shumë për të bërë. Inspektorati i Lartë, në rolin e Autoritetit Qendror Përgjegjës për zbatimin e legjislacionit mbi të cilin ushtron aktivitetin institucional, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtimin e funksioneve publike”, si dhe në përmbushje të misionit të tij, ka ndërmarrë disa nisma të rëndësishme trajnuese për administratën publike. Janë arritur rezultate pozitive edhe në kontrollet e ushtruara prej nesh dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme janë vendosur para përgjegjësisë administrative e penale për raste të shkeljes së kërkesave ligjore. Por, ILDKP nuk është dhe nuk duhet të jetë e vetmja në përballimin e sfidës për shmangien e konfliktit të interesave dhe fshehjes së pasurisë të krijuar në mënyrë abuzive. Të gjithë institucionet publike, sidomos ato autoritete me kompetenca vendim-marrëse dhe ekzekutuese, duhet të rrisin angazhimin e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të administratës publike.

Pikërisht, në këtë frymë, shprehim besimin se do t’ju kemi edhe Ju, shoqërinë civile e median, bashkëudhëtarë.

Së fundi, duke falenderuar edhe njëherë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, dhe në veçanti Ambasadorin, z. Robert Bosch, për realizimin e këtij takimi, përfaqësuesit e institucioneve publike të pranishëm dhe të organizmave joqeveritarë, shpreh besimin që takimi i sotëm do të japë një kontribut pozitiv në tregun e ideve antikorrupsion.

Ju ftoj që të jeni sa më aktiv në diskutime e sugjerime për të përmirësuar më tej raportet mes nesh dhe, rrjedhimisht, edhe suksesin në arritjen e standarteve të gjithëdëshirueshme nga opinioni publik shqiptar.

Ju faleminderit !