+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP: Znj. Argita Malltezi (Berisha) nuk kryen funksion në administratën publike

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, referuar artikullit të sotëm të “Gazeta Shqiptare”: “Berisha punëson vajzën avokate të Qeverisë”, sqaron opinionin publik se:

Znj. Argita Malltezi (Berisha), për Inspektoratin e Lartë, nuk ka rezultuar asnjëherë në funksion publik në administratën shqiptare. Znj. Malltezi ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private në ILDKP, pasi sipas përcaktimit të ligjit është “person i lidhur” me subjektin Sali Berisha, me funksion Kryeministër, bazuar kjo në nenet 21, 22 të ligjit Nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe nenin 14, pika 3 e ligjit Nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Sipas përcaktimeve ligjore “Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim”.

Në Regjistrin Themeltar të Subjekteve deklarues në ILDKP, “personat e lidhur” sipas kuptimit të ligjit, marrin të njëjtin numër indeksi me zyrtarin që mbart detyrimin për deklarim dhe,pavarësisht aktivitetit të tyre profesional, rubrika “Institucioni ku ushtron detyrën” u shënohet e njëjtë me atë të vetë subjektit për efekt të referimit dhe saktësimit të lidhjes me zyrtarin .

Edhe në rastin e znj. Malltezi, e cituar sot në artikullin e “Gazeta Shqiptare”, bëhet fjalë pikërisht për këtë lloj plotësimi të kësaj rubrike. Sipas vetëdeklarimeve të dorëzuara në ILDKP, znj. Malltezi ka paraqitur si punësim dhe si burim të të ardhurave të saj, fitimet nga ushtrimi i aktiviteti si juriste/avokate në një sipërmarrje private.

Për të shmangur keqkuptimet të ngjashme në të ardhmen, ILDKP nisi prej ditës së sotme saktësimin e aktivitetit profesional të gjithë “personave të lidhur” me zyrtarët, të cilët deri më tani, për efekt referimi, në Regjistrin Themeltar të Inspektoratit të Lartë, i janë atashuar institucioneve ku ushtrojnë detyrat zyrtarët deklarues me të cilët kanë lidhje familjare.