+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Prokuroria pushon procedimin penal ndaj Ambasadorit, ILDKP ankimon vendimin. Subjekti dyshohet për burim të paligjshëm të 300 mijë eurove dhe për mosdeklarim të një apartamenti

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ankimon në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimin e organit të prokurorisë për pushimin e proçedimit penal ndaj subjektit Florian Nova, me funksion Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, i kallëzuar penalisht nga ky institucion për veprën penale akuzën e“Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Më datë 21.01.2009, ILDKP dërgoi në organin e Prokurorisë kërkesën për nisjen e proçedimit penal ndaj subjektit Nova, pasi, në përfundim të kontrollit të plotë mbi vetëdeklarimin e këtij zyrtari, rezultoi me burim të pajustifikuar likujditetesh në shumën prej 300.000 euro, në gjendje “cash”. Në deklarimet e subjektit Nova në ILDKP është shprehur se kjo shumë është“dhuratë nga nëna dhe kursimet familjare të prindërve me deklaratë me shkrim jo noteriale”, e cila vërtetohet me dokumentin firmosur nga shtetësja Eleonora Nova, datë 06.07.2005, e administruar si provë në dosje. Më pas, i pyetur në ILDKP për saktësimin e burimit të kësaj shume, subjekti është shprehur se “këtë shumë nuk e kam pasur asnjëherë në dispozicion”, pavarësisht faktit që e ka të deklaruar në deklaratat e dy viteve të ndryshme (2007 dhe 2008).
Njëherazi ky zyrtar nuk ka deklaruar një apartament banimi të blerë në Tiranë si dhe të ardhurat e realizuara nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Më dt.11.09.2009, organi i Prokurorisë ka vendosur pushimin e procedimit penal ndaj subjektit Florian Nova, me arsyetimet absurde se “fakti nuk parashikohet nga ligji si veper penale” dhe se“nuk vërtetohen dashja dhe qëllimi për të bërë deklarim të rremë apo për të fshehur pasurinë”. Në vendimin e Prokurorisë bëhet e ditur se, lidhur me burimin e shumës prej 300.000 euro, shtetësja Eleonora Nova ka deklaruar se kjo shumë “nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe se ajo e kishte gënjyer djalin e saj…”, duke shpjeguar më tej edhe arsyet personale e familjare për këtë veprim. Me të njëjtën llogjikë prokuroria ka argumentuar pushimin e proçedimit dhe për banesën dhe pagat e padeklaruara nga ky zyrtar.

Pranimi i bërë nga organi i Prokurorisë për këtë justifikim nuk është bindës për Inspektoratin e Lartë. Për këtë arsye, ILDKP i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për prishjen e vendimit për pushimin e procedimit penal dhe urdhërimin për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.

Ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër që organi i Prokurorisë pushon proçedimet penale për raste flagrante të deklarimit të rremë të pasurisë, të evidentuara me prova të plota shkresore nga ana e Inspektoratit të Lartë. Në muajin Shkurt 2009, prokuroria pushoi çështjen në ngarkim të subjektit Arjan Ndoja, me funksion Prokuror i Rrethit Gjyqësor, Durrës, i dyshuar për burim të paligjshëm në krijimin e të ardhurave në shumën 740 mijë euro gjatë një periudhe 4-vjeçare në profesionin e lirë të avokatit. Inspektorati i Lartë nuk ishte dakord me vendimin e organit të prokurorisë dhe, e ankimoi çështjen në gjykatë, e po vazhdon ta ndjekë këtë rast të dyshuar flagrant të deklarimit të rremë deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Por, pavarësisht se çështja në ngarkim të subjektit Ndoja ende nuk është përfunduar, Prokuroria e Përgjithshme pasi vendosi pushimin e proçedimit në kundërshtim të hapur me Kodin e Etikës Administrative, e rikthen sërish këtë zyrtar në detyrën e mëparshme. Rikthimi në detyrë i subjektit Ndoja, konsiderohet nga ILDKP si një sfidë e hapur për drejtësinë, pasi ky zyrtar në të njëjtën kohë është person i gjobitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me mbi 195 milion lekë gjobë për fshehje të detyrimeve fiskale, shumë e cila nuk është paguar prej tij.

Për rastet e kallëzuara penalisht, ILDKP vëren se organi i prokurorisë aplikon standarte të ndryshme për raste të ngjashëm, pavarësisht se nga ana formale, proçedura e hetimit administrativ dhe vërtetimi me prova shkresore është i njëjtë për të gjithë rastet. ILDKP konstaton se për zyrtarë, kryesisht lokalë, prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve për gjykim. Kjo inisiativë nuk vihet re për rastet kur ILDKP kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disamilionëshe të krijuara.

Inspektorati i Lartë vlerëson se një praktikë e tillë nuk i shërben qëllimit të përbashkët të dy institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.