NJOFTIM PËR SHTYP

Intervistë e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, Z. Adriatik Llalla, dhënë për gazetën “Koha Jonë”

Z.Llalla. kryeministri Sali Berisha përmend në programin e qeverisë, ndryshime në ligjin për ILDKP-në. Çfarë do të thotë për aktivitetin tuaj institucional ky angazhim?
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) funksionon në bazë të ligjit “Për deklarimin e pasurive…” dhe “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, dy ligje shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Tashmë është e njohur që subjektet që deklarojnë periodikisht interesat private në ILDKP janë të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe disa nëpunës publikë, kategori në të cilën përfshihen pozicione nga Presidenti i Republikës, deputetë, ministra, gjyqtarë, prokurorë e deri tek drejtuesit e pushtetit lokal dhe të administratës tatimore e doganore. Në kohë të ndryshme, në dy ligjet bazë të institucionet tonë, janë kryer disa amendime, të cilat kanë rezultuar efikase për problemet e paraqitura deri në atë kohë. Megjithatë, sot, kur teknikat e fshehjes së pasurive me prejardhje korrupsioni po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, lind domosdoshmëri e modifikimeve të tjera në ligj, në mënyrë të tillë që të jenë frytdhënëse për parandalimin dhe zbuliminin e elementit korruptiv në administratën publike.
Inspektorati i Lartë, si një institucion i krijuar me ligj të posaçëm, kryen funksionet e tij në mënyrë të pavarur. Por natyrisht, suksesi arrihet në sajë të bashkëpunimit me të gjithë faktorët politikë e socialë të vendit. Në këtë prizëm, ne e vlerësojmë pozitivisht faktin që, përmirësimet e ligjeve mbi të cilat ushtrojmë detyrën institucionale, janë pjesë e axhendës së Këshillit të Ministrave. Inspektorati i Lartë është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjithë faktorët politikë në Kuvendin e Shqipërisë për përmirësimin e legjislacionit. Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e përbashkët e të gjithë spektrit politik shqiptar dhe, në përgjithësi, e shoqërisë shqiptare. ILDKP, brenda kuadrit ligjor, do të vazhdojë të kontribuojë me ide e sugjerime sa herë që diçka e tillë të kërkohet nga partnerët tanë brenda e jashtë vendit.

Ju personalisht, çfarë do të propozonit për ashpërsimin e masave apo kontrollit ndaj pasurisë së zyrtarëve? 
Praktika e përditshme e ka përballur Inspektoratin e Lartë me disa çështje, të cilat kërkojnë rregullim ligjor, për të siguruar rezultatin e pritshëm në luftën për parandalimin e konfliktit të interesave dhe në zbulimin e pasurive të fshehura nga zyrtarët publikë, të krijuara me burime të paligjshme. Modifikimet e mundshme janë të natyrës teknike e ligjore. Pa u përfshirë në elementë të detajuar, mund të themi se duhen përmirësuar, sidomos, disa dispozita të veçanta.
Në mendimin tonë, efikasiteti në evidentimin dhe parandalimin e rasteve korruptive do të jetë më efikas me forcimin e sanksioneve për kundërvajtjet administrative, masat disiplinore dhe veprat penale për rastet e refuzimit për deklarim të pasurive dhe konfliktit të interesave, për fshehjen dhe deklarimin e rreme, për moszgjidhjen në kohë dhe në mënyrën e duhur ligjore të rasteve të konfliktit të interesave nga zyrtarët që ushtrojnë funksione publike.
Gjithashtu, duhet të saktësohet pozita proceduriale e ILDKP. Ligji nuk i ka dhënë institucionit të drejtën e nisjes së veprimeve ligjore për t’iu drejtuar gjykatës në rastet e konstatimit të konfliktit të interesave, si rrjedhojë e një procesi verifikues të ndërmarrë nga ky institucion, me cilësinë e Autoritetit Qendror Përgjegjës për zbatimin e ligjit, në rastet kur kjo nuk bëhet nga vetë institucioni përgjegjës, ose institucioni epror. Amendimet e dy ligjeve te ILDKP, duhet të shoqërohen edhe me ndryshimet konkrete në Kodin Penal. Konstatohet në praktikë se ka shumë raste që, në deklarimet periodike, subjektet pasqyrojnë të ardhura në rrugë joformale nëpërmjet personave të lidhur si: huamarrje në rrugë informale apo dhurata në vlera të konsiderueshme, etj.
Një problem në praktikë është edhe mungesa e hapësirës ligjore për veprimin e Inspektoratit të Lartë në rastet kur një person i lidhur me zyrtarin nuk pranon të deklarojë apo t’u përgjigjet kërkesave të ndryshme të institucionit. Mos shoqërimi me një masë shtrënguese dhe një sanksioni në rast mosplotësimi të detyrimit për deklarim nga ana e personave të lidhur, në Kodin Penal, u krijon mundësinë subjekteve për t’i përdorur ata si burim, ndërsa këtyre të fundit mundësinë për mosplotësim të detyrimit ligjor për deklarim. Për të garantuar një hetim të plotë administrativ dhe për të rritur efektivitetin e Inspektoratit të Lartë në kuadër të luftës kundër korrupsionit, del si domosdoshmëri amendimi i nenit 257/a të Kodit Penal, duke shtuar si subjekte të veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi..” edhe personat e lidhur me zyrtarin deklarues.
Një tjetër modifikim i rëndësishëm ligjor do të ishte edhe forcimi i rolit të Autoriteteve Përgjegjëse në mbledhjen e informacionit dhe kryerjen e verifikimeve të nevojshme për rastet e konfliktit të interesave. Autoriteti përgjegjës të ketë detyra të përcaktuara qartë dhe të mbajë përgjegjësi konkrete për punën e kryer.

Ku keni hasur pengesa në hetimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit? 
Në fakt, nuk mund të shprehem për pengesa të mirëfillta, por problemet janë evidente. Kështu, problemi më i madh me të cilin haset Inspektorati i Lartë gjatë hetimit administrativ është informaliteti në regjistrimin e pasurive. Asete të ndryshme, në përgjithësi prona të patundshme, nuk janë të regjistruara ose janë të regjistruara në emra të personave të tretë, të cilët kanë lidhje të tërthortë me zyrtarët. Për të minimizuar efektet negative të këtyre dy elementëve, ne modifikuam formularin e deklarimit të pasurisë në fillim të vitit 2009 ku shtuam si detyrim ligjor vendosjen e gjeneraliteteve të personave të lidhur me zyrtarin (prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es), si edhe deklarimin e pasurisë së fëmijëve madhorë të subjekteve, pavarësisht nëse janë ose jo në të njëjtën përbërje familjare. Këto masa u ndërmorën për të rritur efikasitetin në parandalimin dhe evidentimin e rasteve të konfliktit të interesave. Duke pasur në dispozicion më shumë të dhëna, Inspektorati është në gjendje të krijojë një ide më të qartë për situatën financiare të zyrtarëve dhe të personave të lidhur me ta, sipas kuptimit të ligjit. Mund t’ju them se ky modifik ka nisur të japë rezultatet e para pozitive. Shumë shpejt pritet që ILDKP të konkludojë për disa raste, për të cilat ekzistojnë dyshime të mëdha për konflikti interesi.

Sa raste janë konstatuar për këtë vit me shkelje dhe çfarë masash janë marrë? 
Gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë ka dërguar në organin e prokurorisë 12 kallëzime penale, gjashtë prej të cilëve për “fshehje, mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë” dhe gjashtë të tjerë për “refuzim për deklarim” të interesave private. Po ashtu, gjatë këtij viti, ILDKP ka vendosur masën administrative “gjobë” për 27 zyrtarë, për “mosdeklarim në afat pa shkaqe të arsyeshme ligjore”. Vlen të përmendet fakti se zyrtarët e gjobitur dhe ata të kallëzuar penalisht për “refuzim për deklarim”, kryesisht funksionarë lokalë, janë rreth 50 për qind më pak se një vit më parë. Kjo dëshmon angazhimin e madh të Inspektoratit të Lartë për ndërgjegjësimin e zyrtarëve në respektimin e afateve ligjore. Në Inspektoratin e Lartë është krijuar një strukturë e posaçme që shërben për asistencë teknike e ligjore për të gjithë zyrtarët. Gjatë periudhës Shkurt-Mars 2009, kohë që përkonte edhe me afatin e deklarimit periodik/vjetor të zyrtarëve, ILDKP u impenjua në të gjithë qarqet e vendit për ndërgjegjësimin e zyrtarëve në përmbushjen në afat të detyrimit ligjor, si edhe për mënyrën e saktë të plotësimit të dokumentit zyrtar.

Disa zyrtarë janë kallëzuar penalisht për fshehje të pasurisë, por ka ndodhur që nuk janë penalizuar apo rikthyer në detyrë pavarësisht padisë suaj. Si e shpjegoni? 
Për çdo rast të dyshuar për fshehje të pasurisë, deklarim të rremë apo mosjustifikim të pasurisë me burime të ligjshme, Inspektorati i Lartë nis procedurën e kontrollit të plotë, e cila përbën edhe fazën më të rëndësishme të hetimit administrativ që kryen institucioni. Gjatë këtij kontrollit, kërkohen të dhëna në të gjithë institucionet që mbajnë regjistra publikë; në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, në institucionet financiare private dhe kudo ku mund të regjistrohen interesa private të zyrtarëve. Të dhënat e mbërritura nga këto institucione krahasohen me vetëdeklarimin e zyrtarit. Kur vihen re mospërputhje, Inspektorati kërkon prej zyrtarit të justifikojë pasurinë e krijuar apo burimin e krijimit të tyre. Në rast se sërish krijohen dyshime, atëherë Inspektorati i drejtohet organit të akuzës me kërkesë për nisjen e procedimit penal.
E shpjegova të gjithë procesin, për të krijuar tek publiku idenë më të qartë mbi mënyrën se si zhvillohet hetimi administrativ nga ILDKP dhe se si arrihet deri tek kallëzimi penal, pasi janë administruar të gjitha provat shkresore për një nismë të tillë. Bazuar në legjislacionin përkatës, është organi i prokurorisë ai që duhet të zhvillojë hetime të mëtejshme dhe të paraqesë çështjen në gjykatë. Por, duhet ta pranojmë, se disa raste të dyshuara të fshehjes së pasurisë, të konsideruara flagrante nga ana e Inspektoratit të Lartë, janë pushuar me justifikime aspak të pranueshme. Inspektorati i Lartë ka dërguar kallëzim penal për disa zyrtarë të niveleve drejtuese, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasuri që arrijnë në qindra mijëra euro. Por këto raste, nuk janë dërguar për gjykim nga organi i prokurorisë, duke krijuar një situatë të pazakontë mes dy institucioneve, të cilët ndër prioritetet e tyre kanë luftën kundër korrupsionit. Për ta konkretizuar me një rast tipik, mund t’ju sjellim shembullin e një zyrtari të lartë, me funksion Prokuror Rrethi, i dyshuar për mosjustifikimin e burimit të një shume prej 700 mijë eurosh. Paralelisht me kallëzimin penal në prokurori, Inspektorati i Lartë njoftoi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, pasi u krijuan dyshime të forta që ky zyrtar u ishte shmangur detyrimeve fiskale gjatë periudhës që kishte ushtruar profesionin e lirë të avokatisë. Pas njoftimit nga ana e ILDKP, dy institucionet reaguan, por në mënyra tërësisht të kundërta. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas hetimit të saj administrativ, vendosi të penalizojë këtë zyrtar me gjobë mbi 19 milionë lekë të reja, pasi u vërtetuan dyshimet e Inspektoratit të Lartë. Ndërsa organi i akuzës, e pushoi procedimin penal bazuar në nenin 328/1 gërma “b” të K.Pr.Penale “fakti nuk parashikohet nga ligji si veper penale”. Në kohën që ILDKP e ankimoi këtë çështje në gjykatë, Prokuroria e Përgjithshme e riktheu në detyrën e mëparshme zyrtarin, duke mos marrë parasysh faktin që gjykimi ende nuk ka përfunduar dhe, për më tepër, ndaj tij është vendosur një gjobë shumë e lartë për shkelje të ligjit “Për Tatimet”.
Po ashtu, organi i prokurorisë sapo ka pushuar një tjetër rast, një tjetër zyrtar i lartë, i dyshuar nga Inspektorati i Lartë për mosjustifikim me burime të ligjshme të pasurisë në shumën disa qindra mijëra euro. Edhe për këtë rast, kemi paraqitur ankimimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatë dhe shumë shpejt do ta bëjmë të ditur edhe për publikun.
Nga ana tjetër, është vënë re se, organi i akuzës ndjek me seriozitetin e duhur rastet e kallëzimeve të kryera nga ILDKP për zyrtarë lokalë apo të funksioneve të mesme. Ky standart i ndryshëm krijon probleme, pasi ndikon në dobësimin e efikasitetit të luftës kundër korrupsionit.

Si po shkon bashkëpunimi me bankat në shtetet e tjera, për kontrollin nëse zyrtaret shqiptarë tentojne të “fshehin” shuma të konsiderueshme parash?
Duhet të jemi të gjithë të qartë që hetimi administrativ për pasuritë e zyrtarëve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një sfidë shumë e vështirë, megjithatë jo e pamundur. Inspektorati i Lartë nga ana e tij ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekjet e tij maksimale për të arritur verifikimin dhe hetimin e pasurive të dyshimta të zyrtarëve shqiptarë në vende të ndryshme. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave, ILDKP ka nisur disa procedura verifikimi në disa vende të rajonit, por edhe më gjerë. Po ashtu, në bazë të një Memorandumi me Ministrinë e Jashtë, ILDKP ka shfrytëzuar në raste të ndryshme rrugët diplomatike për të marrë të dhëna në institucione të ndryshme të huaja.
Nga ana tjetë, Inspektorati i Lartë ka zgjeruar hapësirën e investigimit jashtë Shqipërisë edhe nëpërmjet Marrëveshjeve të Bashkëpunimit, të nënshkruara me disa zyra homologe, me të cilat realizohet shkëmbim i herë pas hershëm informacioni.
Deri më tani ende nuk kemi një rast konkret të vënies para përgjegjësisë penale të ndonjë zyrtari me pasuri të fshehur apo të padeklaruar që rezulton e regjistruar jashtë vendit tonë. Në opinionin publik është krijuar idea se funksionarë të ndryshëm fshehin asete në banka të huaja apo në regjistra publikë përtej kufijve të Shqipërisë, duke shfrytëzuar hapësirën e kufizuar të institucioneve shqiptare për të hetuar jashtë. Në mungesë të provave shkresore, aktualisht nuk mund të konfirmojmë apo të mohojmë këto dyshime. Por, ne po vazhdojmë procesin e nisur të hetimit për disa raste të dyshuara dhe do të nisim hetimin administrativ për çdo informacion që do të na vihet në dispozicion në format e ndryshme të komunikimit; me postë të thjeshtë; postë elektronike, telefon, faks apo edhe në numrin tonë pa pagesë-0800-9999.

Keni pasur ndonjë presion në punën tuaj për hetimin e pasurive të zyrtarëve? 
E them me bindje të plotë që aktiviteti i punës sonë kryhet pa asnjë lloj presioni nga zyrtarët, forcat politike apo grupe të tjera interesi. Madje, siç e përmenda edhe më lart, vihet re një ndërgjegjësim gjithnjë në rritje të subjekteve për respektimin e kërkesave ligjore. Natyrisht, kjo frymë pozitive është fryt edhe i punës së Inspektoratit të Lartë. Tashmë çdo zyrtar e ka të qartë që hetimi administrativ në ILDKP kryhet në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo formacionit politik që përfaqëson. Ndarja sipas bindjeve politike nuk ekziston në aktivitetin tonë të përditshëm dhe të gjithë subjektet janë njëlloj të barabartë përballë ligjit. Pikërisht, kjo praktikë e konsoliduar tashmë është përkrahur nga faktori politik e social në vendin tonë. Për ta konkretizuar, mjafton të sjellim shembullin e vlerësimit pozitiv me shumicë të madhe votash që ka marrë institucioni gjatë të gjithë raporteve vjetore të paraqitura në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është dëshmi se klasa politike shqiptare, institucionet vendimmarrëse, janë të bindur për rolin dhe rëndësinë e madhe që kanë institucione të tilla investiguese, me kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor.

Në tregun publik po diskutohet gjithnjë e më shumë për domosdoshmërinë e hetimit të financave të partive, sidomos gjatë fushatave elektorale. Ende nuk është përcaktuar se cili institucion mund të kryejë këtë lloj hetimi specifik. A mendoni se Inspektorati i Lartë mund të jetë agjencia e duhur për të kryer kontrollin e financave të partive?
Në kontakte mediatike të kohëve të fundit, jemi përballur me një pyetje të tillë dhe mund t’ju them se, kjo është një çështje që i takon autoritetit ligjvënës. Pra, është Kuvendi i Shqipërisë ai që nxjerr ligjin përkatës dhe përcakton institucionin që duhet të përgjigjet për zbatimin e tij. Gjithësesi, shpreh bindjen se Inspektorati i Lartë është në gjendje të marrë përsipër një përgjegjësi të tillë. Tashmë institucioni ynë ka krijuar një fizionomi solide në hetimin administrativ të interesave private, kemi përmirësuar dhe forcuar teknikat e investigimit të burimit të pasurive, jemi të pajisur me bazën e duhur metodologjikë. Pra, mendoj se ne jemi të gatshëm që, pas hartimit dhe miratimit të ligjit përkatës, të ofrojmë praktikën tonë në shërbim të këtij hetimi administrativ që, siç e cilësiuat edhe ju, specific për realitetin shqiptar.

Cilat janë për ju, objektivat për vitin 2010 në këtë institucion. Çfarë do të ndryshonit dhe përmirësonit?
Në fillim të vitit 2009, Inspektorati i Lartë prezantoi strategjinë e tij për parandalimin e konfliktit të interesave dhe zbulimin e rasteve të fshehjes së pasurisë. Eshtë një plan i gjerë masash, i cili përveç angazhimit maksimal të ILDKP, kërkon edhe bashkëpunimin e të gjithë hallkave të qeverisjes qendrore e vendore. Lufta kundër korrupsionit nuk është prerogativë e një institucioni të vetëm dhe për këtë arsye, Inspektorati i Lartë ka ofruar të gjithë ndihmesën e nevojshme dhe ka kërkuar të njëjtin impenjim nga institucionet e tjera. Realisht, është vënë re një interesim gjithnjë e në rritje dhe një shkëmbim më i madh informacioni mes Inspektoratit dhe njësive të tjera të pushtetit qendror e lokal. Megjithatë, ne jemi të prirur të besojmë se fryt i bashkëpunimit ndërinstitucional janë rastet konkrete të vënies para përgjegjësisë administrative apo penale të zyrtarëve. Këto raste, pra informacionet e mbërritura nga institucionet e tjera me konkluzion zbulimin e elementit korruptiv, nuk janë ende në nivelin e pritshmërisë së ILDKP-së. Kjo situatë e nxit Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive që të shtojë më shumë kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve, gjithnjë në frymën e ligjvënësit, duke shpresuar në rritjen e prurjeve cilësore dhe në evidentimin e parandalimin e më shumë rasteve të konfliktit të interesave dhe të elementëve korruptivë në administratën publike.
Nga ana teknike, do të synojmë që prej Marsit 2009, deklarimi periodik i interesave nga zyrtarët të realizohet në mënyrë elektronike. Një nismë e tillë synon përmirësimin e procesit të hetimit administrativ, si edhe do të japë një ngritje cilësore të shkëmbimit të informacionit mes institucioneve.
Pjesë e strategjisë sonë për periudhën në vijim është edhe krijimi i hapësirave sa më të gjera për komunikimin me median, shoqërinë civile e opinionin publik në përgjithësi. Me mbështetjen e USAID-it, ILDKP nisi një seri takimesh në qarqe të ndryshme të vendit për sensibilizimin e faktorit shoqëror në forcimin e bashkëpunimit me institucionin tonë. Këto takime, të cilat do të vijojnë edhe në të ardhmen, mendojmë se do të jenë rezultative. E mbështesim bindjen tonë, pasi po vëmë re gjithnjë e më shumë rritjen e informacioneve të dyshuara për konflikt interesi apo fshehje të pasurisë që mbërrijnë nga shoqëria civile dhe individë të ndryshëm. Pak kohë më parë u publikua evidentimi i dy situatave në konflikt interesi, burim informacioni i të cilave ishte një organizëm joqeveritar. Po ashtu, Inspektorati është në shqyrtim të disa informacioneve të mbërritura nga dy organizma të tjerë të shoqërisë civile, për disa raste të dyshuara për fshehje të pasurisë nga zyrtarë me funksion gjyqtar apo prokuror. Pra, tashmë edhe shoqëria civile ka marrë përgjegjësitë e veta në luftën kundër korrupsionit dhe në bashkëpunimin me institucionet e specializuara.