+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Intervistë e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, Z. Adriatik Llalla, për radion “Europa e Lirë”


Z. Llalla, misioni i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është hetimi i pasurive të zyrtarëve të lartë. Në opinionin tuaj, sa transparentë janë personat që drejtojnë shtetin shqiptar?

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është krijuar në vitin 2003 dhe ka për qëllim kryesor hetimin administrativ të interesave private të zyrtarëve të zgjedhur dhe disa nëpunësve publikë, si edhe shmangien dhe parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Në ILDKP deklarojnë periodikisht mbi 4 mijë zyrtarë, që nisin nga Presidenti i Republikës, deputetët, ministrat, e deri te drejtuesit e pushtet lokal, punonjësit e doganave dhe tatimeve. Siç shihet, ligjvënësi ka parashikuar një kategori të gjerë zyrtarësh, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e elementit korruptiv në administratën shtetërore.
Detyrimi ynë kryesor është pikërisht arritja e transparencës maksimale në deklarimin e pasurive nga ana e zyrtarëve, duke vënë theksin kryesore tek burimi i krijimit të interesave private. Shqipëria, si një vend që ka kaluar një tranzicion të gjatë, është përballur me korrupsionin, ashtu si shumë vende të tjera që kanë një histori të ngjashme politike me vendin tonë. Pra, korrupsioni ka qenë i pranishëm dhe, sot, prioriteti ynë kryesor është zvogëlimi në nivele minimale të rasteve korruptive. Jemi të bindur se është një sfidë e vështirë dhe që nuk përballohet nga një institucion i vetëm. Gjatë punës sonë jemi prirur drejt angazhimit në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha hallkat e shtetit që kanë të njëjtin qëllim, luftës kundër korrupsionit.

Pra, nëse ju perifrazoj, po shpreheni se transparenca e zyrtarëve nuk është në nivele të pritshme?

Nuk mund të përgjithësohet. Por as nuk mund të mohohet që ka zyrtarë që tentojnë të fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme, duke përfituar nga fondet publike. Për raste të evidentuara dhe të provuara me dokumente shkresore, ne i jemi drejtuar organit të Prokurorisë për ndjekje penale. Gjatë vitit 2009, ne kemi kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë. Pavarësisht këtyre shifrave, natyrisht mund të themi se ka ende shumë punë për të arritur krijimin e një administrate të pastruar nga elementi korruptiv.

Z. LLalla, nga raportet publike të institucionit tuaj, ende nuk kemi parë zyrtarë të nivelit të lartë të kallëzuar penalisht për fshehje të pasurisë. Insistoj, pasi ndjeshmëria më e madhe e publikut shqiptar është më e lartë për këto nivele dhe opinioni mendon se, pikërisht në radhët e këtyre zyrtarëve, gjenden edhe rastet më flagrante të korrupsionit?

Zyrtarë të lartë, sipas kuptimit të ligjit, gjenden në radhën e subjekteve që ju përmenda më lart që kemi dërguar për ndjekje penale. Janë dy ambasadorë, një prokuror rrethi, zyrtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, etj., Mund të them se ILDKP është në verifikim të disa rasteve të dyshuara, për të cilat kemi të dhëna nga burime të ligjshme, nga media apo nëpërmjet formave të tjera të komunikimit me publikun. Besoj se shumë shpejt, rezultatet e këtyre hetimeve administrative do të bëhen të ditura për opinionin publik.

Z. Llalla, ka dyshime se zyrtarë të ndryshëm kanë fshehur pasuri jashtë Shqipërisë. A jeni në gjendje të verifikoni jashtë territorit të Shqipërisë?

Për investigimin e pasurive jashtë Shqipërisë, Inspektorati i Lartë ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme Shqiptare dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Të dy këto institucione, nëpërmjet kanalave të tyre diplomatike të komunikimit, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim, sa herë është konsideruar e nevojshme nga ana e institucionit tonë. Duhet kuptuar se vështirësia është e lartë për raste të tilla. Gjithësesi, ne kemi arritur të ndërmarrim hetime administrative jashtë territorit të Shqipërisë dhe të dhënat gjenden në raportet përkatëse për çdo subjekt.

Cila është problematika me të cilën haset ILDKP në punën e tij?

Siç ju përmenda më sipër, një ndër problemet kryesore është informaliteti. Pasuri të ndryshme, kryesisht të patundshme, nuk janë të regjistruara ose janë të regjistruara në emra të personave të tretë, të cilët kanë lidhje të tërthortë me zyrtarët. Pra, ky element i dytë, tjetërsimi i pasurisë është një tjetër problem me të cilin përballet Inspektorati i Lartë gjatë hetimit administrativ. Për të minimizuar efektet negative të këtyre dy elementëve, ne modifikuam formularin e deklarimit të pasurisë në fillim të vitit 2009, ku shtuam si detyrim ligjor vendosjen e gjeneraliteteve të personave të lidhur me zyrtarin (prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es), si edhe deklarimin e pasurisë së fëmijëve madhorë të subjekteve, pavarësisht nëse janë ose jo në të njëjtën përbërje familjare. Ky ndryshim synoi pajisjen e Inspektoratit të Lartë me më shumë informacion dhe, tashmë kanë nisur të dallohen rezultatet e para. Në institucionin tonë, brenda një kohe të shkurtër, është vënë re shtim i fluksit të të dhënave që mbërrijnë nga qytetarë të ndryshëm, media dhe organizmat joqeveritarë. Për të realizuar transparencë të plotë, si edhe për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka të dhëna për pasuri të fshehura apo për raste konflikti interesi në radhët e zyrtarëve, ILDKP ka vënë në dispozicion të gjitha mënyrat e komunikimit, përfshirë edhe një numër telefoni pa pagesë. Tendencë gjithnjë e në rritje po vihet re në mbërritjen e informacioneve nga organizma joqeveritarë, që kanë si qëllim të tyre luftën kundër korrupsionit.

A mendoni se baza legjislative mbi të cilën funksionon institucioni juaj është e plotë për një investigim të detajuar? Mendoni se ka nevojë për ndryshime të tjera?

Nga diskutime me homologë të huaj, rezulton se ligji shqiptar për deklarimin e pasurive dhe për parandalimin e konfliktit të interesave është ndër më të fortët në vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Megjithatë, praktika e deritanishme na ka bindur se ka ende vend për ndryshime e përmirësime. ILDKP, me mbështetjen edhe të OSBE-së, shumë shpejt do të kërkojë amendimin e ligjit në disa pika, të cilat i konsiderojmë delikate. Ajo që mund të shpreh në vija të përgjithshme është fakti që do të synojmë në forcimin e sanksioneve administrative e penale për këdo që tenton të krijojë pasuri, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga fondet publike.