NJOFTIM PËR SHTYP

INTERVISTË E INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM TË ILDKP-së, Z. Adriatik LLALLA, PËR GAZETËN “SHQIP”

Llalla: Si po hetojmë pasuritë e zyrtarëve

Z. Llalla, Inspektorati i Lartë modifikoi në fillim të vitit 2009 procedurën e deklarimit të interesave private nga ana e zyrtarëve, duke përfshirë edhe deklarimin e pasurive të fëmijëve jashtë çertifikatës familjare, si edhe gjeneraliteteve të personave të tjerë të familjes. Cilat janë rezultatet e deritanishme dhe a mendoni se ka funksionuar siç duhet ? 
Të gjithë zyrtarët që kanë detyrimin ligjor për të deklaruar interesat private në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive këtë vit janë njohur me ndryshimet e formularit të deklarimit të interesave private, sipas të cilit zyrtarët, krahas të dhënave mbi pasurinë dhe detyrimet financiare të tyre, duhet të deklarojnë të dhënat pasurore edhe për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare, si edhe gjeneralitetet e prindërve të tyre, si edhe të prindërve të bashkëshortit/es. Ky detyrim ligjor i pazbatuar u vendos me ndryshimet që iu bënë formatit të deklarimit të interesave private në fund të vitit 2008 dhe është përmbushur nga pothuajse të gjithë zyrtarët brenda datës 31.03.2009, që ishte edhe afati i fundit i dorëzimit të deklaratës periodiko-vjetore të interesave private për vitin paraardhës në ILDKP.
Inspektorati i Lartë u angazhua maksimalisht në ndihmë të zyrtarëve për të shpjeguar ndryshimet ne formatin e deklaratës, si edhe mënyrën se si duhen plotësuar këto ndryshime. Për këtë qëllim, u ngrit një grup pune i posaçëm, i cili organizoi takime trajnuese me zyrtarët në të gjitha institucionet shtetërore të vendit, si edhe një grup tjetër pune ofronte asistencë për zyrtarët që paraqiteshin në institucion për t’u njohur me këto ndryshime.
Detyrimi për deklarimin e të dhënave pasurore për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare, si edhe për deklarimin e gjeneraliteteve të personave të lidhur me zyrtarin, u krye në bazë dhe për zbatim të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve finaciare të të zgjedhureve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Efektet e pasjes së këtyre të dhenave janë shoqëruar me një ndryshim cilësor në procesin e verifikimit, kontrollit të plotë apo hetimit administrativ të kryer nga institucioni ynë. Inspektorati i Lartë tashmë ka në dispozicion të tij të dhëna më të plota mbi personat e lidhur me zyrtarin, ç’ka ndihmon në monitorimin më të plotë e të gjithëanshëm të pasurive të zyrtarëve dhe të personave të lidhur me ta, si edhe për evidentimin, parandalimin, zgjidhjen dhe ndëshkimin e rasteve të konfliktit ndërmjet interesave publike dhe atyre private të zyrtarëve në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Z. Llalla, në shumë raste Inspektorati i Lartë konstaton faktin që ka zyrtarë të niveleve të ndryshëm që nuk e plotësojnë si duhet formularin e pasurisë. Pas zgjedhjeve, shumë deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë do të marrin për herë të parë funksione që mbartin detyrim për deklarim. Si mund të minimizohet numri i rasteve me parregullsi dhe gabime teknike nga ana e tyre në plotësimin e deklaratës së pasurisë?
Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, në bazë të ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive mbartin detyrimin për deklarim të interesave të tyre private pasurore në ILDKP. Deputetët, ashtu si çdo i zgjedhur tjetër apo nëpunës publik që ka detyrimin për deklarimin e pasurisë, detyrimisht brenda 30 ditëve nga fillimi i detyrës duhet të plotësojnë deklaratën e interesave private “Para fillimit të detyrës” dhe ta dorëzojnë atë tek Autoriteti Përgjegjës i institucionit të tyre ose në ILDKP.
Deputetët që nuk janë rizgjedhur në këtë legjislaturë, ashtu si çdo i zgjedhur tjetër apo nëpunës publik që largohet nga detyra dhe që kanë pasur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, detyrimisht brenda 15 ditëve prej largimit nga detyra duhet të plotësojnë deklaratën e interesave private “Pas largimit nga detyra” dhe ta dorëzojnë atë tek Autoriteti Përgjegjës i institucionit të tyre ose në ILDKP.
Mosplotësimi në afat i këtij detyrimi ligjor shoqërohet me sanksione, të cilat fillojnë nga ndëshkimin me gjobë, njoftimin e Kuvendit për rastet e deputetëve apo emërtesës, në rastet e zyrtarëve të tjerë, për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre, publikimin e rastit, deri në kallëzim për ndjekje penale.
Në ILDKP funksionon në mënyrë të vazhdueshme një strukturë e posaçme, e cila ofron asistence për çdo subjekt të deklarimit të interesave private, për mënyrën e plotësimit të formularit të deklarimit të interesave private, me qëllim shmangien që në fillim të parregullsive në mënyrën e plotësimit të deklaratës.

Kur keni prezantuar strategjinë e re të institucionit që drejtoni, Ju keni vënë theksin tek bashkëpunimi me median, shoqërinë civile e opinionin publik në përgjithësi. Në çfarë niveli mund t’i konsideroni raportet e institucionit tuaj me këto hallka të jetës sociale?
Bashkëpunimi i ndërsjelltë me median, shoqërinë civile dhe opinionin publik është konsideruar i një rëndësie të veçantë për Inspektoratin e Lartë. Media dhe shoqëria civile janë burim i rëndësishëm informacioni për punën e ILDKP. Për të nxitur dhe inkurajuar sa më shumë këtë bashkëpunim, Inspektorati i Lartë ka vënë në dispozicion të medias, qytetarëve dhe të shoqërisë civile numrin e telefonit pa pagesë 0800 9999 më qëllim denoncimin prej tyre te rasteve te fshehjes nga zyrtaret te pasurive ne emer te afermeve apo te personave te tjere te lidhur me ta ashtu dhe per denoncimin e rasteve të ndryshme të konfliktit të interesit.
Rëndësi të veçantë ILDKP ju kushton njoftimeve të ndryshme të cilat bëhen publike përmes medias së shkruar dhe saj vizive, nëpërmjet të cilave jepen të dhëna mbi pasuritë e zyrtarëve apo për rastet e konfliktit të interesave.
Në institucionin tonë vijnë në mënyrë të vazhdueshme njoftime, me anë të postës elektronike dhe postës së zakonshme, në lidhje me dyshimet që kanë qytetarët apo organizatat joqeveritare mbi pasuritë e zyrtarëve të ndryshëm, të shoqëruara këto shpesh dhe me fotografime apo pamje filmike.
ILDKP, për të gjitha këto raste, fillon procesin e verifikimit të tyre për të vërtetuar saktësinë e informacionit. Një pjesë e këtyre rasteve janë në proces kontrolli dhe do të bëhen të njohura për median në ditët në vijim.
Dua të theksoj se, në çdo rast, Inspektorati i Lartë ruan konfidencialitetin dhe administron në mënyrën e duhur çdo informacion të ardhur nëpërmjet postës, telefonit pa pagesë dhe postës elektronike.
Shtimi i numrit të rasteve të denoncuara në ILDKP nga shoqëria civile e qytetarë të ndryshëm është tregues i rritjes së besimit ndaj institucionit tonë dhe bën që ne të angazhohemi maksimalisht në përmbushjen më me përgjegjësi të misionit tonë. Bashkëpunimin me median e shoqërinë civile e konsiderojmë një element shumë të rëndësishëm në suksesin e luftës kundër korrupsionit dhe shprehim besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë të forcohet edhe më tej.

Krahas praktikave te reja të aplikuara, cilat janë hapësirat që ju krijohen për një hetim administrativ sa më të cilësor dhe a mendoni se mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme?
Praktikat e reja të aplikuara së fundmi kanë një qëllim të vetëm, kryerjen e një hetimi efikas, të pavarur dhe të plotë. Kështu, përmes personave të lidhur, është synuar shmangia e transferimit të parave të krijuara në mënyrë korruptive nga zyrtarët tek familjarët e tyre apo personat e lidhur me ta. Po ashtu, këto ndryshime në formular, paraqitja e detajuar, e bazuara gjithnjë në ligj, synon shmangien e konfliktit të interesave, pra përfitimin pa të drejtë nga fondet publike të personave, familjarëve të zyrtarit. Duke shënuar në formular interesat pasurore dhe gjeneralitetet e personave të lidhur, ILDKP krijon një bazë të rëndësishme të dhënash, nëpërmjet të cilës zgjerohet rrethi i hetimit administrativ.
Njëkohësisht, Inspektorati i Lartë ka zgjeruar dhe rrethin e institucioneve me të cilat bashkëpunon dhe kërkon të dhëna. Bashkëpunimi ndërinstitucional përveçse detyrim ligjor, është dhe çelësi i suksesit të punës tonë. Për këtë qëllim, është filluar bashkëpunimi intensiv me institucionet financiare jobankare. Pavarësisht se kjo është praktikë e re pune, ndërveprimi me këto institucione besojmë se do të ketë rezultate pozitive.
Pavarësisht praktikave dhe metodave të reja që po sjellim, jo vetëm si risi, por si teknika dhe metoda më efektive të investigimit dhe hetimit administrativ, mendojmë se përmirësime të mëtejshme janë të nevojshme, kryesisht përmirësime ligjore. Në mënyrë që legjislacionim mbi të cili funksionon ILDKP, duhet të krijojë më shumë hapësira për aplikimin e saknsione të drejtëpërdrejta, jo vetëm të zyrtarëve, por dhe të personave të lidhur apo të institucioneve, të cilat nuk përmbushin detyrimin ligjor të dhënies së të dhënave, në respektim të afateve ligjore. Prandaj përmirësimet në këtë kuadër konsiderohen nga ana jonë si të domosdoshme.