+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

LDKP publikon rreth 500 deklarata të interesave private me kërkesave të medias e shoqërisë civile

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) publikoi sot rreth 500 deklarata të interesave private të zyrtarëve të lartë, bazuar në kërkesat e medias e shoqërisë civile.

Detyrimi për publikimin e të dhënave të pasurive të subjekteve rrjedh nga kërkesat e ligjit Nr.8605, dt.30.06.1999 “Për informimin publik” dhe nenit 19 të ligjit nr.9367, dt.07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Procesi i publikimit, përveçse përmbush një interes të ligjshëm të opinionit publik për informim, është edhe në interes të ILDKP për të aktivizuar më shumë të gjithë faktorët shoqërorë e politikë të denoncojnë rastet korruptive.

Nëpërmjet bërjes publike të informacionit mbi pasuritë e zyrtarëve, kushdo që ka të dhëna se pasuria e ndonjë zyrtari nuk është e vërtetë, mund t’i drejtohet Inspektoratit të Lartë, duke bërë denoncimin përkatës në të gjitha format e mundshme të komunikimit. Për këdo të interesuar, Inspektorati i Lartë ofron mundësinë e ruajtjes së anonimatit të plotë.

Në shërbim të qytetarëve që kanë të dhëna për raste të fshehjes së pasurisë apo konflikti interesi, ILDKP ka vënë në dispozicion edhe një numër telefoni pa pagesë- 0800 9999.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive fton të gjithë qytetarët, median dhe organizmat joqeveritare të bashkëpunojnë me institucionin, me qëllim forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe zbulimin e veprimtarive të jashtëligjshme, me përfitim pasuror personal, në ushtrimin e funksioneve publike.