+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP kallëzon penalisht një Ambasador dhe një Inspektor Tatimor

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzon në organin e Prokurorisë një Ambasador dhe një punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dega Tiranë, për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga nenin 257/a/2 i Kodit Penal.

Pas përfundimit të hetimit administrativ, ILDKP konstatoi fshehje të pasurisë e deklarim të rremë nga subjekti Qazim Tepshi, me funksion Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë dhe nga subjekti Merita Aleksi, me funksion inspektor tatimor.

Subjekti Qazim Tepshi, në deklaratata e tij të interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar një shumë prej 35.000 euro, të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Po ashtu, subjekti nuk ka deklaruar një transaksion bankar në shumën e 39.000 euro, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë. I pyetur lidhur me pasaktësitë e evidentuara nga Inspektorati i Lartë, subjekti Tepshi është përgjigjur se nuk e ka gjykuar të deklarojë këtë shumë “…sepse nuk janë krijuar nga puna në Ambasadë..”. Në përputhje me kërkesat e ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin e pasurisë…” dhe ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, ILDKP i vlerëson argumentat e subjektit të pabazuara, duke i konsideruar shkelje të ligjit. Gjatë hetimit administrativ dhe korrespondencës me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Inspektorati i Lartë ka evidentuar gjithashtu se zyrtari me funksion Ambasador, ka qenë administrator i shoqërisë “Saitan”, aktivitet i mbyllur në vitin 2003, për të cilin ka mbetyr pa shlyer detyrime tatimore në vlerën 2.666.192 lekë. Pas konstatimit të shkeljeve të mësipërme, Inspektorati i Lartë ka kërkuar nga organi i Prokurorisë nisjen e procedimit penal për subjektin Qazim Tepshi.

Subjekti Merita Aleksi, në deklaratat e interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar depozita dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë, të cilat arrijnë shumën 3.589.048 lekë. Po ashtu, nga hetimit administrativ i ILDKP për pasurinë e deklaruar të subjektit Aleksi dhe familjarëve të saj, rezulton se nuk janë pasqyruar në deklarata depozita dhe llogari bankare të bashkëshortit të saj, Diogjen Aleksi, në shumat: 12.570.872 lekë; 12.766 Euro; dhe 11435 USD.
Për problemet e konstatuara, subjekti, i pyetur nga ILDKP, ka deklaruar se “nuk i kam deklaruar sepse nuk kam menduar se duheshin deklaruar të ardhurat e përfituara nga veprimtari të punëve dytësore”, duke sqaruar se vlerat monetare të depozituara në bankë janë krijuar nga aktivizimi i bashkëshortit të saj në disa punë dytësore.
Inspektorati i Lartë vlerëson se argumentat e sjellë nga subjekti janë në kundërshtim me kërkesat e parashikuara në ligjin nr.9049, dt.10.4.2003 dhe ligjin nr.9367, dt.7.4.2005 dhe se, me veprimet e saj, subjekti Merita Aleksi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë…”, dhe për këtë është kërkuar nga organi i Prokurorisë nisja e procedimit penal.

Gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht në organin e Prokurorisë 12 subjekte, nga të cilët 6 për “fshehje të pasurisë, mosdeklarim ose deklarim të rremë” dhe 6 subjekte për “refuzim për deklarim”.