+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP dorëzon në organin e Prokurorisë kallëzim penal për 6 subjekte

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kallëzon penalisht 6 (gjashtë) zyrtarë, me akuzën e “Refuzimit për deklarim”, një numër pothuajse 50% më pak se zyrtarët e dorëzuar në organin e prokurorisë një vit më parë për të njëjtën shkelje ligjore.

Ulja e ndjeshme e rasteve të refuzimit të deklarimit të interesave private është rezultat i angazhimit të Inspektoratit të Lartë për ndërgjegjësimin e zyrtarëve për respektimin e kërkesave ligjore. Gjatë periudhës shkurt-mars 2009, stafi i ILDKP u impenjua në ofrimin e asistencës tekniko-ligjore për të gjithë zyrtarët, duke organizuar edhe një seri të gjatë trajnimesh në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Inspektorati angazhoi një sektor të veçantë për ofrimin e ndihmës për zyrtarët, me qëllim plotësimin e saktë të dokumentit “deklaratë e interesave private”, i cili u modifikua me disa rubrika të reja në fillim të vitit 2009. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë të zyrtarëve, Inspektorati i Lartë vendosi në dispozicion të subjekteve të gjitha mjetet e komunikimit, telefonik dhe elektronik.

Ky impenjim i gjerë i ILDKP solli si rezultat ndërgjegjësimin e përgjithshëm të zyrtarëve për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratave të interesave private në afat dhe sipas përcaktimeve të parashikuara në ligj.

Në përfundim të procesit të deklarimit të interesave periodike/vjetore, afati i të cilit ishte 31 Marsi i vitit 2009, rezultoi se 27 subjekte nuk e përmbushën në kohë detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private. Ndaj tyre, ILDKP, më datë 07.05.2009 vendosi masën administrative “gjobë”, sipas përcaktimeve të parashikuara në nenin 44, pika 1/c te ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Nga rakordimet e kryera deri më datën 18.06.2009, rezulton se nga subjektet e gjobitur nuk e kanë dorëzuar ende deklaratën e interesave private zyrtarët:

1. Ismet Peca Përgjegjës Sektori, D.P.Tatime, Kukës
2. Hilmi Rama Përgjegjës Zyre, D.P.Tatime, Shkodër
3. Gëzim Ukperaj Specialist, D.P.Tatime, Kukës
4. Shpëtim Guxholli Drejtor Drejtorie, D.P.Tatime, Korçë
5. Rrok Rroku Kryetar Komune, Dajç, Lezhë
6. Agim Harrizi Ish-Shef Komisariati, Kuçovë

Për të gjithë këta zyrtarë, Inspektorati i Lartë ka bërë kallëzim penal, bazuar në nenin 257/a/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet se:
“Refuzimi për deklarim ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj”.

Për refuzimin për deklarim të interesave private, Inspektorati i Lartë, bazuar në nenin 5/1 të ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, sipas të cilit “Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal.. Organi përgjegjës brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin, ka vënë në dijeni edhe institucionet përgjegjëse të këtyre zyrtarëve, ku ka kërkuar marrjen e masave përkatëse në përputhje me kërkesat e ligjit.

Po ashtu, Inspektorati i Lartë ka nisur procedurën e kontrollit të plotë, faza më e rëndësishme e hetimit administrativ, për rreth 250 zyrtarë të niveleve të ndryshme. Rreth 160 prej tyre janë përzgjedhur nga procedura publike e shortit, ndërsa pjesa tjetër e subjekteve, të kaluar për investigim të imtësishëm, ka ardhur si rrjedhojë e pasaktësive të evidentuara në fazat e mëparshme të kontrollit ose në sajë të informacioneve të mbërritura nga media dhe publiku në adresë të institucionit.

Pas një fushate të gjerë sensibilizuese dhe pas bërjes publike të numrit të telefonit pa pagesë, 0800 9999, qytetarë të ndryshëm kanë sjellë informacione të shumta për zyrtarë të ndryshëm, për të cilat kanë nisur puna e verifikimit në zyrat e regjistrave publike dhe në terren.