+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

“ILDKP, me dyer të hapura” për publikun. Hidhet shorti dhe paraqitet lista e zyrtarëve që kanë shkelur afatet e dorëzimit të deklaratës së pasurisë.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dëshmoi sot nivelin më të lartë të transparencës institucionale, nëpërmjet aktivitetit “ILDKP, me dyer të hapura”, nismë e mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.
Aktiviteti, i pari në llojin e tij për institucionet investiguese në Shqipëri, tërhoqi vëmendjen e dhjetra qytetarëve, përfaqësues të organizatave joqeveritarë e medias, të cilët shprehën interes të lartë për funksionimin dhe aktivitetin e përditshëm të Inspektoratit të Lartë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, e cilësoi aktivitetin si mënyrën më të mirë “për të shndërruar urat aktuale të bashkëpunimit ndërmjet institucionit nga njëra anë dhe publikut të gjerë, medias e shoqërisë civile nga ana tjetër, në struktura solide, mbi të cilat duhet të kalojë kushdo që merr mandatin nga populli dhe përfaqëson atë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore e vendore”.
Për z. Llalla, Inspektorati po shndërrohet në një realitet të prekshëm, ku kushdo, qytetar i thjeshtë, gazetar apo përfaqësues i shoqërisë civile, të perceptojë dhe të kuptojë funksionin dhe rolin e ILDKP-së në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit ligjor”.
Më tej, Inspektori i Përgjithshëm u shpreh se, sot, të gjithë bashkë, jemi bërë pjesë e një bashkësie që ka për objektiv madhor përmirësimin e imazhit të të zgjedhurve dhe të nëpunësve publikë. Në këtë mënyrë ne do të ndihmojmë në përmbushjen e aspiratës sonë kombëtarë-integrimin e Shqipërisë në familjen e vendeve të zhvilluara demokratike”.

***
Pjesë e “Ditës së Hapur” ishte edhe hedhja e shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të subjekteve deklarues (4142 zyrtarëve) që do të kalojnë në kontroll të plotë, faza më e rëndësishme e kontrollit dhe më i detajuari që kryhet nga ILDKP.
Procedura e shortit këtë vit mbartte në vetëvete një risi, pasi përzgjedhja e subjekteve në short u krye nga vetë qytetarët, të cilët kishin mundësi të tërhiqnin në mbi katër mijë zarfa me numra, të cilët u korrespondonin të gjithë zyrtarë që janë subjekte deklarues në ILDKP.
Në përfundim të procedurës, për të gjithë të pranishmit u publikua lista me 166 zyrtarët që do të kalojnë në kontroll të plotë.

***
Po ashtu, një ndër zhvillimet kryesore të “ILDKP, me dyer të hapura” ishte edhe publikimi i listës së zyrtarëve që kanë dorëzuar tej afatit ligjor. Është për t’u theksuar se, këtë vit është vënë rë një ndërgjegjësim i lartë i zyrtarëve për respektimin e afateve ligjore.
Nga rakordimet që ka kryer Inspektorati i Lartë, rezulton se 27 subjekte nuk e kanë përmbushur afatin ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private periodike/vjetore. Këta zyrtarë, në pjesën më të madhe, janë drejtues lokalë të zonave më periferike të Shqipërisë, ndërkohë që të gjithë zyrtarët e lartë dhe të mesëm të nivelit drejtues e kanë respektuar afatin ligjor.
Ky rezultat pozitiv është rrjedhojë e angazhimit të të gjithë stafit të Inspektoratit të Lartë për ndërgjegjësimin e zyrtarëve mbi respektimin e detyrimit ligjor. Deklarimi i interesave private ka pasur edhe një veçori specifike këtë vit, pasi për herë të parë, zyrtarët kanë pasur detyrim për plotësimin e një formulari të veçantë me gjeneralitetet e personave të lidhur, që janë fëmijët madhorë, si edhe prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es. Nëpërmjet këtij ndryshimi, ILDKP pritet të ketë rezultate pozitive në evidentimin, parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave.