+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP, dy ministri dhe tre agjencitë e administrimit të pronave, partneritet për parandalimin e konfliktit të interesave.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) është shndërruar në një prej institucioneve që po jep kontribut shumë të madh në luftën kundër korrupsionit. Nëpërmjet një programi-pune intensiv 3-javor, ILDKP, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) arriti të trajnojë rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave.

Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, si dy prej institucioneve qendrore me numër të madh dhe shpërndarje të gjerë punonjësisht, si edhe zyrtarë të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë Qendrore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, si institucione me risk të lartë të rënies në konflikt interesi.

Kjo seri trajnimesh është cilësuar shumë e rëndësishme nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e mbylljes me sukses të tyre dhe shpërndarjes së çertifikatave për zyrtarët e trajnuar.

Në takim, ku merrnin pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, znj. Anila Godo, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja, drejtues të lartë të agjencive të administrimit të pronave, Drejtori i Përgjithshëm i ITAP-it, z. Fatmir Demneri, si edhe në praninë e veçantë të Ambasadorit të OSBE-së, z. Robert Bosch, Inspektori i Përgjithshëm, z. Llalla, u shpreh se “problematika e trajtuar në seminare, rastet konkrete të ofruara për diskutim dhe pjesëmarrja e lartë, treguan jo vetëm angazhimin e zyrtarëve, por njëkohësisht seriozitetin dhe korrektësinë e Inpektoratit të Lartë gjatë këtij procesi”.

Duke rikonfirmuar edhe njëherë rolin e trajnuesit për njohjen e kërkesave ligjore nga zyrtarët e administratës publike, z. Llalla u shpreh, gjithësesi, se “Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues përsa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionete publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj”.

Po ashtu, duke i parë në mënyrë të pandarë ligjin nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publike” dhe ligjin nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP tha në takim se institucioni do të vijojë me kontrollin rigoroz të deklarimit të interesave private dhe vuri theksin në modelin e ri të formularit të deklaratës së pasurisë.

Në këtë kuadër, z. Llalla, bëri të ditur se, gjatë hetimit administrativ, ILDKP do të konsiderojë si fshehje të pasurisë rastet e mosdeklarimit të të ardhurave të fituara nga zyrtarët nëpërmjet qeradhënies. “ILDKP ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qera e objekteve të ndryshme. Këto raste janë në proçes verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qera e objekteve, verifikimi i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”.

Pas fjalës së Inspektorit të Përgjithshëm, në takim përshëndetën dhe vlerësuan nismën e ndërmarrë edhe përfaqësues të institucioneve që morën pjesë në trajnime.