+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP ofron asistencë dhe këshillim për zyrtarët e zgjedhur dhe nëpunësit publikë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nëpërmjet Urdhërit nr.77, dt.26.12.2008 të Inspektorit të Përgjithshëm miratoi formularin e ri të dokumentit zyrtar të deklarimit të interesave private. Me anë të këtij formulari ILDKP- ja forcon instrumentat e identifikimit, parandalimit, trajtimit, shmangies dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave në rradhët e personave të zgjedhur dhe të nëpunësve publikë të administratës publike.

Risitë që sjell ky dokumentit në saktësimin e detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare, bazuar në ligjin nr.9049, dt.10.4.2003 ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”dhe ligjin nr. 9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, konsiderohen si prioritete të ILDKP-së në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për këtë qëllim Inspektorati i Lartë, në dispozicion të subjekteve deklarues, të zgjedhur dhe nëpunës publikë, të parashikuar në nenin 3 të ligjit mbi deklarimin dhe kontrollin e pasurive dhe të detyrimeve financiare, ka vënë një staf teknik të specializuar me qëllim ofrimin dhe dhënien e asistencës për mënyrën e saktë të plotësimit të modelit të ri të deklaratës së interesave private.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive me ngritjen e një grupi të tillë punë, me qëllim ofrim asistence dhe këshillimi, synon shmangien maksimale të parregullsive dhe të gabimeve materiale gjatë procesit të plotësimit të deklaratës së interesave private nga ana e zyrtarëve të administratës publike. Me përmbushjen e një detyrimi të tillë ligjor, në ndihmesë të drejtëpërdrejtë të punës së institucionit, njëkohësisht Inspektorati i Lartë kërkon angazhimin maksimal të zyrtarëve të zgjedhur dhe nëpunësve publikë që të bashkëpunojnë dhe t’i drejtohen zyrave të institucionit për të marrë asistenën e duhur.

Në çdo kohë Ju do të asistoheni nga një staf i specializuar për t’Ju dhënë asistencën dhe ndihmesën e kërkuar nga ana Juaj.

Gjithashtu për t’Ju ardhur në ndihmë, mund të kontaktoni në numrat e tel: + 355 422 259 472 ose në adresat e mëposhtme: elloja@www.hidaa.gov.al, adumani@www.hidaa.gov.al

Kujdes: Formulari i Deklarimit të interesave private “Periodik/ Vjetor” duhet të plotësohet dhe dorëzohet brenda datës 31 Mars 2009.
Për mosdeklarim në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, vendoset masë administrative deri në 30.000 ( tridhjet mijë) lekë.