+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP kallëzon penalisht tre subjekte për “fshehje të pasurisë”.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzon penalisht në organin e Prokurorisë tre zyrtarë, me akuzën e “fshehjes së pasurisë”.

Petrit Mullaj, oficer i Policisë Tatimore, dega Sarandë; Nuri Vani, doganier në Doganën e Bllatës (Peshkopi) deri në nëntor 2008; dhe Detar Hysi, anëtar i Këshillit Kombtëtar të Radio-Televizioneve (KKRT) dhe ish-Kryetar i Zyrës së Përmbarimit, Tiranë, nuk kanë mundur të justifikojnë me dokumente të ligjshme burimin e krijimit të pasurisë së tyre. Për këtë arsye, më 09.01.2009, ILDKP ia ka kaluar çështjet e tyre për proçedim të mëtejshëm organit të akuzës.

Kallëzimi penal ndaj subjektit Petrit Mullaj
Nga kontrolli i deklaratave të interesave private të subjektit Mullaj, si edhe nga veprimet verifikuese të kryera në funksion të hetimit administrativ, bazuar në nenet 17 e 26 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, ka rezultuar se; subjekti nuk ka deklaruar në formularët e interesave private të vitit 2005, 2006 si dhe të vitit 2007 disa prona të paluajtshme të regjistruara në emrin e tij, që konfirmohen nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë. Më konkretisht, në formularët e subjektit Mullaj nuk figurojnë të deklaruara; 4400 m² tokë arë dhe rreth 30700 m² katrorë Pemëtore (në bashkëpronësi) në zonën e Çiflikut, Sarandë, si edhe rreth 300 m² truall e 79 m² sipërfaqe ndërtimi në zonën e Konispolit, po në Sarandë. Si rrjedhojë, ILDKP kërkon fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Mullaj për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” të parashikuar nga neni 257/a i K.Penal.

Kallëzimi penal ndaj subjektit Nuri Vani
Nga kontrolli i deklaratave të interesave private të subjektit Vani, si edhe nga veprimet verifikuese të kryera në funksion të hetimit administrativ, bazuar në nenet 17 e 26 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, ka rezultuar se; subjekti nuk ka deklaruar një shumë në vlerën 3 milionë lekë të reja. Pas hetimeve administrative dhe pas konstatimit të shkeljes ligjore, ILDKP ka kërkuar për ish-punonjësin e doganës së Bllatës fillimin e proçedimit penal për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal.

Kallëzimi penal ndaj subjektit Detar Hysi
Nga kontrolli i deklaratave të interesave private të subjektit Hysi, si edhe nga veprimet verifikuese të kryera në funksion të hetimit administrativ, bazuar në nenet 17 e 26 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, ka rezultuar se; subjekti nuk mund të justifikojë burimin e krijimit të një shume të konsiderushme të ardhurash, të cilat arrijnë në vlerat e 7 milionë lekëve dhe 40 mijë dollarëve, të deklaruara në kohën që drejtonte Zyrën e Përmbarimit, Tiranë. Po ashtu, shtetasi Hysi, pasi rikthehet si subjekt deklarues, në pozicionin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve, deklaron para cash një vlerë monetare 150 mijë euro, të cilat, sipas deklarimeve në ILDKP, i ka krijuar nga aktiviteti i tij privat si avokat. Nga hetimi administrativ i ILDKP, rezulton se subjekti Hysi nuk ka qenë i regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve deri në Shtator 2007, por që edhe më pas nuk ka paguar detyrimet tatimore.
Për këto arsye, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKP kërkon nga organi i Prokurorisë fillimin e proçedimit penal për veprën “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal