+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP forcon mekanizmat e parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe korrupsionit.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive forcon mekanizmat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet formularit të ri të deklarimit të interesave private, të miratuar me Urdhër nr.77, dt.26.12.2008 të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla.

Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare të subjekteve të ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”dhe ligjit nr. 9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili nuk është aplikuar deri më tani.

Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijve jashtë çertifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit.

Në strategjinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009, prioritet është jo vetëm evidentimi, parandalimi, shmangia e konfliktit të interesave, por edhe vendosja e sanksioneve përkatëse në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore. Në këtë kuadër, në zbatim të neneve 24 dhe 35 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet të personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es) për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi.
Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash, Inspektorati i Lartë do të zotërojë informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, ç’ka do të forcojë më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshëm dhe rast pas rasti.

Gjithashtu, Inspektorati i Lartë, duke shfrytëzuar informacionin e nevojshëm, në funksion të ushtrimit të hetimit administrativ, do të forcojë më tej mënyrat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave të natyrës absolute, përcaktuar në nenin 21, pika 1, ku parashikohet që zyrtarët e nivelit të lartë dhe personat të lidhur me ta u ndalohet të krijojnë marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë;

Po ashtu, ILDKP do të jetë në gjendje të rrisë më shumë kapacitetet për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të natyrës relative, përcaktuar në nenin 21, pika 3, ku parashikohet që zyrtarëve të nivelit të mesëm drejtues, nëpunësve të administratës tatimore e doganore dhe personave të lidhur me ta, u ndalohet të lidhin kontrata me institucionin publik ku ushtron funksionin zyrtari.